Bekim Jashari: Kuqica po bëhet me ujë të pijshëm

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka paralajmëruar se qytetarët e fshatit Kuqicë brenda një muaji e gjysmë, do të bëhen me ujë të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit.

Ai ka deklaruar se brenda këtij muaji do të fillojnë me instalimin e ujësjellësit edhe në Llaushë, Burojë e Aqarevë, për të vazhduar me pas edhe në fshatrat e bashkësisë lokale të Likocit e Rezallës.

“Këtë premtim ua kam dhënë vitin e kaluar qytetarëve të këtij fshati dhe sot bashkë me asambleistë, drejtorë e zyrtarë komunal vizituam këtë fshat të bukur me rastin e fillimit të projektit të instalimit të kyqjeve individuale të financuar nga komuna jonë. Kështu brenda mandatit tim qeverisës po bëjmë me ujë të pijshëm 25 fshatra të komunës sonë dhe për këtë falënderoj qeverinë zvicerane për instalimin e gypit kryesor dhe Ministrinë e Mjedisit për përkrahjen në instalimin e kyqjeve individuale në disa fshatra”, ka shkruar Jashari në një postim në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, ky projekt jetik ndikon edhe në evitimin e shpërnguljes së qytetarëve nga ky fshat, të cilin, ka paralajmëruar se do ta bëjnë “edhe më turistik”.

Bekim Jashari në emisionin “Jeta në Komunë” gjatë muajit tetor 2020 kishte premtuar se brenda atij viti do të përfundojnë të gjitha kyqjet gradualisht dhe do të kenë ujë. Rrjedhimisht, premtimi del të jetë vonuar.