Bekim Jashari. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Jashari bojkoton votimin për shkak të ndaljes së kamerave në shkolla

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka vendosur që të mos dalë të mos votojë si shenjë proteste ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ndalen kamerat nëpër shkolla që do të përdoren si qendra të votimit gjatë procesit zgjedhor.

Burime të KALLXO.com brenda Komunës së Skenderajt e kanë konfirmuar se Jashari e ka bojkotuar procesin e votimit.

Gjatë ditës së djeshme, Komisioni Qendror Zgjedhor i ka dërguar email Komisionit Komunal Zgjedhor të Skenderajt që të ndalen kamerat nëpër shkolla që do të përdoren si qendra të votimit gjatë procesit të zgjedhjeve më 14 shkurt.

Në emailin që KALLXO.com ka siguruar thuhet që ky reagim vjen pasi që kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ditë më parë në një takim më menaxherat e qendrave të votimeve, ka dhënë urdhër që kamerat mos të ndalen.

Sipas KQZ-së, ky vendim është i kundërligjshëm në cenimin e lirisë dhe të drejtave të votuesve dhe ushtrim ndikimi tek stafi zgjedhor nëpër qendra të votimit përkatësisht në vendvotime.

Ndërsa Bekim Jashari ka thënë se prania e kamerave në klasa evidenton çdo parregullsi që mund të ndodhë gjatë procesit të votimit apo numërimit dhe kështu nuk ka aspak të bëjë me shkelje të privatësisë sepse në kabinen e votimit aty ku voton qytetari nuk ka kamera dhe kështu votimi është i fshehur.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimit janë kompetencë e tyre e që nuk menaxhohen dhe as nuk mbikëqyren nga komunat dhe kryetarët e tyre.

Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Në të gjithë territorin e Kosovës janë 888 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare vijnë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.