Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Haxhiu: Qeveria kamufloi shifrat e COIVD-19 me grip sezonal

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Qeverinë për dështim në menaxhimin e pandemisë duke thënë se gjatë muajit dhjetor dhe janar, kishte përpjekje nga Qeveria për të paraqitur shifra të rrejshme me COVID, duke i zvogëluar ato dhe duke i kamufluar me grip sezonal.

“Gjatë muajit dhjetor dhe fillim të janarit, kishte përpjekje nga Qeveria për të paraqitur shifra të rrejshme me COVID, duke i zvogëluar ato, duke i kamufluar me grip sezonal, për faktin se simptomatologjia e Omicron dhe gripit sezonal ishte e njëjtë. Kemi me dhjetëra raste kur pacientëve me Omicron iu është dhënë terapia pa i udhëzuar të testohen për COVID. Këta persona kanë lëvizur lirshëm dhe janë shndërruar në shpërndarës të virusit”, ka thënë Haxhiu në Kuvend.

Haxhiu tha se Qeveria nuk po dallon variantet e COVID-it.

“Brenda 6 muajve Qeveria për të dytën herë përsëriti gabimin e njëjtë në keq menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19. As pas dy vjetëve pandemi Qeveria nuk po dallon variantet e COVID-it, po sillet me neglizhencë e papërgjegjësi. Ashtu si verës kur prezent ishte variant Delta, tani gjatë dimrit kur filluan të paraqiten rastet e para të variantit Omicron tek ne kemi parë neglizhencë të Qeverisë”, ka thënë Deputeti i PDK-së.

Kuvendit po mbanë sot seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të rendit të ditës-debat parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19.

Kosova shënoi të mërkurën rekord të rasteve me COVID-19 që nga shpërthimi i pandemisë në vend.