Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Haxhiu pyet ministrin Latifi se çka do të ndodhë të gjeturat e auditorit në ShSKUK

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu ka kërkuar të dijë nga ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, se çfarë do të ndërmarrin për bordin dhe menaxhmentin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pas gjetjeve të raportit të Auditorit.

Haxhiu tha se dje në media ka pasur raport për shkarkimin e drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, por sipas tij duket se nuk do të shkarkohet vetëm Krasniqi.

“Besoj që e keni lexuar raportin e auditorit të Zyrës Kombëtare që paraqet mungesë të raportit për pranimin e mallit nga menaxherët e kontratave në vlerë prej 7 milionë e 864 mijë euro. Urdhër për blerjen e mallit pasi malli ka arrit në depo, keqpërdorime në transportin e kufomave të cilat janë prezantuar këtu edhe në të kaluarën, keqpërdorime me pajisje mjekësore. Çka duhet tjetër me bo një bord dhe menaxhment që të merr shkarkimin tuaj?”, tha deputeti Haxhiu.

Ministri Rifat Latifi tha se Bordi i ShSKUK-së është plotësuar dhe ata kanë filluar sipas tij t’i mbajnë takimet që nga dje.

“Unë pres prej tyre një analizë kompletë të të gjitha rasteve dhe ne do ti marrim masat e nevojshme. Unë nuk mund të flas nëse disa çështje janë në organet gjyqësore ose nëpër vende tjera pa e pas raportin final të të gjitha këtyre çështjeve”, tha Latifi.