Bekim Haxhiu mohon afërsinë familjare më Afrim Haxhiun

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka mohuar afërsinë familjare me Afrim Haxhiun, sekretar në ndërmarrjen “Trepça” dhe kryetar i Komisionit Vlerësues në konkursin e fundit që u hap në këtë ndërmarrje publike.

Ekipi i emisionit “Jeta në Kosovë” ka provuar gjatë ditës së enjte disa herë që ta kontaktojë deputetin Haxhiu, por ai e ka mbyllur telefonin.

Ndërsa, pasi është pyetur për afërsinë e mundshme me Afrim Haxhiun, përmes adresës elektronike, ai e ka mohuar një gjë të tillë.

Haxhiu është përgjigjur rreth orës 20:00 në mbrëmje, gjë që ka qenë shumë vonë për të përfshirë në emisionin “Jeta në Kosovë”.

“I nderuar, nuk mbaj përgjegjësi për të gjithë personat që kanë mbiemrin Haxhiu, as për Afrim Haxhiu-n, as për Baton Haxhiu-n, as për Albulena Haxhiu-n as për Teuta Haxhiu-n apo Dr. Enver Haxhiu etj”, ka thënë ai përmes adresës elektronike.

“Nuk kam asnjë lloj afërsie me personat e potencuar më lartë. Edhe pse disa kanë shpifur për Afrim Haxhiun se është vëllau im, gjë që nuk është e vertetë, unë ju bëj me dije se asnjë vëlla i imi nuk punon në Trepçë, për më shumë informatë ju bej me dije se asnjë familjar i imi i afërt nuk punon në Trepçë”, thuhet tutje në përgjigjen e Haxhiut.

Ekipi i emisionit ka kontaktuar edhe Afrim Haxhiun, për të marrë një përgjigje nëse ai ka afërsi me deputetin e PDK-së.

“Bekim Haxhiun, deputetin? Bekimin e kam kushëri. Kushëri ma larg e kam. Ai është deputet, ai e ka punën e vet, unë e kam punën time. Ai nuk ka pasur asnjë ndikim në konkurs. As djalë të axhës nuk e kam, kushëri më të largët”, ka thënë ai një bisedë të shkurtër.

Sot gjatë ditës, Bekim Haxhiu ka reaguar në Facebook ku ka mohuar afërsinë familjare me Afrim Haxhiun.