Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Haxhiu kërkon dorëheqjen e Qeverisë nëse nuk vaksinohen 60% e qytetarëve deri në fund të vitit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë kritika rreth menaxhimit të pandemisë nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ndërsa ka kërkuar nga ai dorëheqje në rast se nuk arrijnë të vaksinojnë 60% të qytetarëve deri në fund të vitit, ashtu siç është premtuar nga Qeveria.

Sipas Haxhiut, kjo qeveri është duke u mburrur me frigoriferët e vaksinave për të cilët Instituti i Shëndetësisë Publike ka njoftuar që në dhjetor të vitit 2020.

“Kërkoni falje qytetarëve për tollovinë e krijuar tek salla ‘1 Tetori’, derisa ju qëndronit në kefeteri. Po mburreni me frigoriferët të cilët IKShPK i ka reklamuar në dhjetor të vitit të kaluar”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka kërkuar nga Vitia që të raportojë e të japë më shumë detaje në lidhje me marrëveshjen dhe kontratën e nënshkruar me Pfizer.

“Nëse e keni problem para mediave, atëherë ju lutem të raportoni pa media dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë”, tha Haxhiu.

Ministri Arben Vitia ka ripërsëritur se marrëveshja me prodhuesit e vaksinës anti-COVID19 e është e konfidenciale dhe se nuk mund të japë më shumë detaje.

“Nuk mund të jap informata për shkak se më obligon një marrëveshje konfidencialiteti që është nënshkruar me 20 dhjetor nga ministri paraprak, që ka qenë institucion”, ka thënë ai.

Vitia i ka quajtur banale deklaratat e Bekim Haxhiu rreth “mburrjes për një frigorifer” të zinxhirit të ftohtë për vaksinat, ndërsa kërkesën e Haxhiut për dorëheqje e ka konsideruar absurde nga dikush që ka premtuar 200 mijë vende pune e që, sipas ministrit Vitia, nuk ka realizuar asnjë.