Bekim Haxhiu kërkon dorëheqjen e ministrit Arben Vitia, Haxhi Avdyli e lavdëron

Anëtari i PDK-së në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bekim Haxhiu, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Haxhiu tha që Arben Vitia është i papërgjegjshëm në menaxhimin e pandemisë dhe si dëshmi për këtë ai ka paraqitur infografika që sipas tij e tregojnë menaxhimin e keq të pandemisë nga ministri aktual.

Ai ka shtuar se kishte paralajmëruar Qeverinë për afatin e shkurtër të vaksinave, te cilave u ka skaduar afati.

“Vetëm njëherë gjatë gjithë qeverisjes ka dalë para komisionit, papërgjegjësi e plotë. Do të ishte mirë që ministri i Shëndetësisë të japë dorëheqje para këtij komisioni për keq menaxhimin e pandemisë”, është shpreshur deputeti Haxhiu.

Ndërsa, anëtari nga pozita në këtë komision, Haxhi Avdyli tha se të dhënat e prezantuara  nga deputeti Bekim Haxhiu tregojnë përmirësim të situatës me COVID-19.

“Materiali që e ka pru këtu Bekimi është lakore dhe në bazë të saj po shihet se trendi i infektimeve dhe vdekjeve është në rënie dhe një lajm i mirë për të gjithë ne”, tha deputeti Avdyli.

Sipas tij, një gjendje e tillë me pandeminë është edhe ne shtetet më të zhvilluara se Kosova.

“E vërtetë që është gjendja katastrofale në kuptimin si COVID-19 po kjo është gjendje botërore dhe s’është veç në Kosovë”, tha ai. Kemi një ngritje në të gjitha shtetet,  edhe në ato shtete që kanë kryer mbi 90% të vaksinimit të popullsisë dhe për mua ka qenë befasi”, tha në mes tjerash Avdyli.

Ai lavdëroi ministrin, Arben Vitia, por pak edhe ish-ministrin Armend Zemaj.

“Është një situatë pak më e mirë se vitin e kaluar dhe meritat nuk ia japë vetëm ministrit Arben Vitia por edhe ish-ministrit Zemaj që ka bërë disa punë disa përgatitje, furnizimi me oksigjen”, tha ai.

Më herët, ish-ministri i Shëndetësisë në këtë komision, Armend Zemaj, tha se Qeveria nuk e ka menaxhuar mirë pandeminë, ndërsa tha se duhet të thirret në raportim sa më shpejt ministri, Arben Vitia.

Komisioni është duke vazhduar mbledhjen.

Për një muaj në Kosovë, përkatësisht nga data 13 gusht e deri më 13 shtator në Kosovë kanë vdekur 533 të infektuar me COVID-19.

Po ashtu numri i rasteve të reja të konfirmuara është rritur gjatë muajit gusht.

Aktualisht në Kosovë janë 17 mijë raste aktive me SARS-CoV-2.