Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Haxhiu interesohet për 1 mijë testet e COVID-19 që erdhën donacion nga Serbia

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu është interesuar përsëri për 1 mijë testet e COVID-19 që ishin dhënë donacion nga Serbia në prill të vitit të kaluar.

Sipas tij me këto teste i është kryer shërbim Serbisë që të prezantohet si shtet human, e në të njëjtën kohë, sipas tij Kosova do të paguaj për asgjësimin e tyre.

“A janë largu, a janë jashtë përdorimit, si do të veproni me këtë donacion, a do t’ia ktheni Serbisë. A duhet që Kosova të paguaj për asgjësimin e këtyre 1 mijë testeve?”, ishte pyetje që shtroi sot në Kuvend, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se bazuar në të dhënat e IKShPK-së ato ruhen si dhe shumica e materialeve laboratorike të tjera.

“Dhe se ashtu siç deklaruat ju ato nuk janë përdorur asnjëherë. Për shkak të skadencës këto do të trajtohen sikur gjitha materialet e mikrobiologjisë me afat të skaduar sipas procedurave të departamentit të mikrobiologjisë në institutin kombëtar të shëndetësisë publike. Numri i këtyre testeve nuk është i madh kjo nënkupton që do të asgjësohen në momentin e parë bashkë me mbetjet e tjera të laboratorit”, tha Vitia.

Vitia shtoi se donacione nga Serbia kanë ardhur me miliona e miliona gjatë gjithë periudhës kur kanë qenë qeveritë e kaluara e vazhdojnë të vijnë akoma.

“Kjo puna juaj për donacione që e thoni vazhdimisht është e pandershme, po e them butësisht. Atë çka e dimë ne 500 mijë euro janë dhënë qytetarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit”, tha Vitia në mes tjerash.

Vitia tha se hallin më të madh qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë me tonelata e tonelata barna që kërkojnë procedura specifike për asgjësim e që fatkeqësisht sipas tij janë blerë pa asnjë analizë nga qeveritë e kaluara dhe janë grumbulli në stoqet tona.

“Edhe atyre do tua gjejmë qarën”, tha ai.