Bekim Haxhiu: Bordi i ShSKUK-së po përpiqet të ruajë interesat klanore

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, thotë se prej kur është deputet ka ngrirë pozitën në ShSKUK për të mos rënë në ndikim të bordeve.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se  parregullsitë që po ndodhin sot me konkurse kanë të bëjnë edhe me menaxhimin e pandemisë dhe ruajtjen e interesave klanore.

“Prej kur jam deputet, pozitën time në ShSKUK e kam ngrirë për të mos rënë në ndikim të bordeve. Pse sot po ndodhin këto dhe pse vetëm Valon Krasniqi shpëtoi nga shkarkimi lidhet me menaxhimin e pandemisë, me keqpërdorimet brenda Ministrisë së Shëndetësisë e raportimeve të rrejshme”, ka thënë Haxhiu.

“Ky bord po përpiqet të ruajë interesat klanore”, shtoi tutje ai.

Sipas Haxhiut, gjatë kësaj qeverisjeje ka pasur shumë parregullsi dhe mashtrime në lidhje me pandeminë, me theks numrin e të vdekurve.

“Nuk janë prezantuar të gjitha vdekjet me COVID-19 gjatë kohës sa ka qenë ky bord, këtë mund ta vëreni nëse i shihni listat e atyre që kanë kërkuar rimbursim. Së fundi e pamë skandalin rreth transportit të kuformave, le t’i pyesin për numrin e të vdekurve nga ShSKUK dhe a përputhet me ato të raportuara për bartje të kufomave”, shtoi Haxhiu.