Foto: KALLXO.com

Bekë Berisha për policët kufitar në Gjakovë: Në mesin e tyre ka që s’janë të korruptuar

Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Drejtori të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kryetari i këtij Komisioni, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha e pyeti Mehmetin për arrestimin e zyrtarëve policorë kufitar në Gjakovë.

Sipas Berishës, “ndër ta ka policë që nuk janë të korruptuar”.

“Kam qejf me ditë kush e ka nis këtë operacion, a kanë pas prova të mjaftueshme. Qysh arrestohen 50 policë? Sistemi i drejtësisë i trajton krejt njëjtë, pse me u korit ata? Me i arrestu e me i bo përrallë, pas dy jave, ja nuk patë send. Argumentone njëherë pastaj arrestone”, tha Berisha.

Për këtë, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se Policia nuk bën hetime të prokurorisë.

“Hetimet janë zhvillu prej IPK-së, ata dhe prokurori e dinë. Nuk kanë obligim, as me na dhanë informacione rreth ngjarjes. Është kompetencë e tyre. Na çdo informacion që kemi pas rreth kësaj çështje ia kemi dhanë IPK-së, pjesa tjetër është trajtuar prej atyre dhe organeve tjera. Nuk është kompetencë e imja, nuk i përzihem IPK-së”, tha ai.

Mehmeti shtoi se nuk i ka pëlqyer publikimi i identitetit të tyre.

“Nuk më ka pëlqyer mënyra qysh i kanë qit në publik, duhet me ia rujt identitetin e çdo qytetari. Informacionet që m’i kanë dhanë ata nuk mundem me ia dhanë juve”, tha drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.

Në muajin mars është realizuar një aksion i Inspektoratit Policor të Kosovës në Stacionin Policor Kufitar në Gjakovë, ku 48 zyrtarë policorë kufitarë dhe dy doganierë përfunduan në pranga pas një hetimi që zgjati 10 muaj nga Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale.

Zyrtarët policorë kufitarë dyshohet se përfituan qindra euro ryshfet gjatë periudhës sa u zhvilluan masat e fshehta të hetimit.

Aktualisht, zyrtarët policor janë në paraburgim.

Aksioni i IPK, i gjithë stacioni kufitar në Gjakovë i dyshuar për korrupsion