Gjatë masave të vëzhgimit të kamionëve të dyshuar se po kontrabandonin kafshë, Foto: KALLXO.com

Shpjegimi skandaloz i Bekë Berishës për aksionin në Karaçevë

 

Gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje pritej të raportonte ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu në lidhje me zhvillimet në Polici. Por, i njëjti nuk i është përgjigjur kërkesës së Komisionit që të raportonte para tyre nën arsyetimin se ka agjendë të ngarkuar.

Meqë ministri nuk erdhi në Komision, anëtarët ngritën çështje të shumta për shkarkimin e ish-drejtorit të Policisë Rashit Qalaj, dhe për shkarkimin e Task Forcës speciale kundër korrupsionit.

Nënkryetari i këtij Komisioni nga AAK, Bekë Berisha, gjatë debatit për shkarkimet e Qalajt dhe Task Forcës zgjodhi që të shpjegonte edhe se çka u konfiskua dhe kush u arrestua në aksionin i cili ndodhi më 18 shtator 2020 në fshatin Karaçevë ku cak ishin njerëz që merreshin me organizim të lojërave të fatit por edhe kontrabandë.

Berisha tha se ‘… në aksion u arrestuan vetëm pronarë të mishtoreve, u konfiskuan vetëm kafe, edha e shota’.

“Operacioni në Karaçevë,… ky operacion ka fillu me qindra policë që e kemi trajtu bashkë kemi fol dhe me 600 policë thuhet se është bërë ai operacion. Qëllimi ka qenë me zhduk një farë oaze të krimit se do kazino po funksionojnë, bile ju më së shumti keni fol për këtë punë. Ky operacion përfundoj duke i arrestu do pronarë të mishtoreve kaq është efekti i kësaj”, deklaroi deputeti Berisha.

“As nuk përmenden më aparatet e kazinove, as kazino, se ato ishin kanë të  improvizuara me dërrasa. 14 kg kafe, dyshohet se tani do edha edhe na u paraqitke aksioni që çka u bë e kurrgjë hiq në fund. Sot janë në burg do njerëz për gjynah, për shkak që ‘ja e ke ble lopën, jo e ke shit lopën’ a qashtu po dashka me funksionu shteti jonë e siguria a? Kjo është marre, marre i kanë marrë në qafë i kanë etiketu njerëzit i kanë shti në burg edhe ju kanë bërë propagandë jo korrupsioni, jo ashtu, gjë që nuk është e vërtetë dhe nuk qëndron kjo. E bash për këtë punë kemi me u përballë me ministrin në interpelancë ka me na shpjegu këtë operacion se kogja shumë u përmend në media se këqyre çka po bën dhe përfundoj në do edha e në do shota”, ishte shpjegimi i Berishës të cilin e bëri në komision sot.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për arrestimet dhe konfiskimet të cilat kanë ndodhur në rastin e Karaçevës.

Aksioni në Karaçevë është realizuar në dy faza, atë të parën ku janë arrestuar më shumë se 30 persona për kontrabandë dhe lojëra fati, ndërsa në fazën e dytë janë arrestuar pronarë të fabrikave të mishit dhe mishtoreve në disa lokacione në Kosovë për shkak dyshohet se kishin blerë dhe kishin vënë në prodhim mish i cili ishte nga kafshët e kontrabanduara nga Serbia përmes rrugëve ilegale të fshatit Karaçevë.

Në fakt në aksionin në Karaçevë, janë arrestuar mbi 60 persona. Disa nga të arrestuarit janë vetëdorëzuar ditët vijuese pas operacionit.

Pra nga 71 të dyshuar për këtë rast 67 janë arrestu, 63 janë dërgu në paraburgim, katër janë liruar në procedurë te rregullt ndërsa 4 janë në arrati.

Në këtë aksion të gjerë u arrestuan edhe 12 zyrtar policor, njëri nga ta Ferid Leci, i cili sipas dosjes së prokurorisë figuron se është pronar i objektit kryesor në Karaçevë ku zhvilloheshin lojërat e fatit. Leci përveç se po dyshohet për organizim të lojërave të fatit ai dyshohet edhe për kontrabandim me gjedhe.

Përveç arrestimeve në rastin e Karaçevës në dy faza janë konfiskuar, 252 aparate të lojërave të fatit, 2 roletë të cilët janë shkatërruar në vendin e ngjarjes, 6576 euro para të gatshme, 163,650 dinarë, dy pushkë gjuetie, tri pistoleta, 63 gjedhe, 322 matrikula, 15 shtëpiza të kompjuterëve 9 DVR me video inçizime dhe prova të tjera të cilat do të përdoren në rastin e Karaçevës.

Aksioni në Karaçevë i zhvilluar më 18 shtator të muajit të kaluar erdhi si rezultat i një hetimi më shumë se një vit.

Të arrestuarit në dy fazat e rastit po dyshohen për veprat penale, organizim të lojërave të fatit, kontrabandë, blerje të kafshëve të kontrabanduara si dhe vënie në prodhim të mishit nga kafshët e kontrabanduara.

Në Karaçevë janë rrënuar edhe 13 objekte të cilat kanë funksionuar për një kohë të gjatë si kazino ilegale.

Në rastin në Karaçevë në fazën e parë kanë marrë pjesë rreth 360 zyrtarë policorë dhe rreth 70 hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës, ndërsa në fazën e dytë rreth 230 zyrtarë policorë dhe mbi 20 hetues të IPK-së.

Emisioni Drejtësia në Kosovë një javë më parë transmetoi edhe pamjet ekskluzive nga konfiskimet e mishit në mishtoret në Gjilan, Prizren, Pejë, Suharekë dhe lokacione të tjera. Gjithashtu gjatë emisionit u shfaqën edhe pamje të mishit të prishur në një nga fabrikat e bastisura.

Në lidhje me rastin në Karaçevë në një intervistë ekskluzive për Drejtësia në Kosovë ka folur edhe prokurorja e rastit Rozelida Manastiri.

Sipas Manastirit rasti i Karaçevës është kryer me sukses duke treguar kështu se nga të gjithë personat sa kanë qenë duke u hetuar vetëm 4 janë në arrati të tjerë janë arrestuar të gjithë.

Deri më sot që nga 18 shtatori janë liruar nga masa e paraburgimit edhe disa persona, pasi qe kanë pranuar fajësinë dhe të njëjtit kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë.

Gjithashtu në lidhje me operacionin në Karaçevë, vetëm pak ditë kë pas ishte komisioni njëjti ai për siguri dhe mbrojtje që ftoi U. D. Kryeshfin e IPK-së Kushtrim Hodaj dhe Shefin e Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Bardhyl Haxhimustafën që të raportojnë në lidhje me zhvillimin e aksionit.