Bekë Berisha: Nëse nuk përkrahet Komisioni Hetimor për rezervat, ju po doni me fshehë diçka

Deputeti i Aleancës për Armërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka reaguar ndaj deklaratave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët po kundërshtojnë formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.

Berisha u ka thënë deputetëve se nëse nuk e përkrahin themelimin e komisionit, sipas tij, ata po fshehin diçka, përderisa ka shtruar edhe një varg pyetjesh.

“I kam pyetjet, edhe nuk keni me shku pa iu përgjigj. Kush e ka autorizu Ridvan Muharremin, pse u marrë ai me qet punë? Kjo çështje ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Pse po lypin certifikime e do standarde? A janë respektuar procedurat? A kanë certifikim të sigurisë ministrja, akterët, Ridvan Muharremi?”- tha Berisha.

“Nëse nuk përkrahet qekjo, ju po doni me fshehë diçka, pikë!”- shtoi ai.

Në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore, ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në një intervistë përballë Jeta Xharrës në Kallxo Përnime.

Konjufca tha se në sistemin e drejtësisë ka tendencë të njolloset Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo pasi ai ka thënë se në drejtësi është dikush që me vullnet anti-LVV, të cilët çështjet administrative i bëjnë penale.

Sipas kryeparlamentarit, në çështjen e rezervave shtetërore nuk ka ndonjë shkelje.

“Unë nuk mendoj që ka ndonjë shkelje aty, e aq më pak korrupsion. Qeveria ka thënë “hajde shkojna bashkë në depo është 97.5%, 2.5 % ka me ardhë, qekjo nuk është vepër penale” – ka thënë Konjufca.

Ai po ashtu ka thënë se në agjenci qeveritare është e ligjshme që kryeministri të emëroj persona.

“Nëse një institucion është qeveritar, agjenci qeveritare, se agjencitë ndahen në të ndryshme, qeveritare dhe të pavarura, nëse është e pavarur, ti nuk ke drejtë si ministri me iu perzi dhe ti e vendos atje një njëri, kjo mund me përbë vepër penale. Por nëse e çon dikë në agjenci qeveritare, kryeministri e ka me ligj të drejtën”- ka shtuar ai.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar në gusht të këtij viti nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.