Foto: KRIK

Behgjet Pacolli zbulon se nga jahti ku ishte Millan Radoiçiq i kishte telefonuar Agim Bahtirit për ta "surprizuar"

Kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në një intervistë për “Kallxo Pernime” kishte rrëfyer shumë ngjarje të skenës politike ndërsa ndër to ishte edhe fotografia e cila kishte qarkulluar shumë kur u pa në një jaht me të kërkuarin nën dyshimin për organizim dhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Millan Radoiçiq.

Pacolli para Jeta Xharrës mohoi se e kishte njohur Radoiçiqin duke thënë se nuk e kishte parë dhe se nuk e njihte asnjëherë më parë.

I njëjti tregon se kur kishte parë që në jaht ka qenë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiqi, ai e kishte përshëndetur e madje edhe e kishin thirrë në telefon kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin, për ta ‘surprizuar’.

Deri sa shpjegon se në jahtin e tij ishte shtruar tavolina për të ngrënë darkë me fëmijët e tij, Pacolli vazhdon rrëfimin dhe tregon kur kishte parë Rakiqin të dalë nga jahti ku ishte duke qëndruar së bashku me disa persona të tjerë.

“Unë e kam njohur kryetarin e Mitrovicës që sot ai është nënkryetar i Listës Serbe, Rakiqin ai ka qenë aty dhe disa zyrtarë të Listës Serbe. Ne e kemi kryer dhe kemi dalë, Rakiqi zbret prej aty dhe vjen te unë: A Behgjet sa mirë që po të shoh dhe i kam thënë kadal ta bëj një surprizë dhe e kam thirrë Agim Bahtirin sepse ata janë shokë e takohen. Agim Bahtiri ka qenë fort i nervozuar sepse ka mendu që jemi dakorduar me u taku atje dhe s’i kemi thënë atij asgjë dhe i kam thënë rastësisht është kjo”, tregon Pacolli për ngjarjen.

Tutje ai vazhdon të tregojë se ka shkuar në jahtin ku gjendeshin disa deputetë të Listës Serbe të Kuvendit të Kosovës dhe ka hyrë për të pirë një pije ndërsa mohon se kishte njohur Millan Radoiçiqin.

“Dhe ai (Goran Rakiq) mua më tha eja te na ulu dhe pije një pije dhe normalisht pa asnjë paragjykim hy aty, të betohem dhe ta jap fjalën e nderit se kam qenë e kam pirë një pije s’e kam ditë i kujt është jahti. Sa kam qenë aty ka ardhur një njeri dhe u ul, askush nuk e ka prezantu si e ka emrin ai Radoiçiqi e më pas jam përshëndet jam dalë i kam marrë fëmijët e mi dhe kemi dalë në qytet. Unë kam njoftë veç 3 deputetë. Unë s’i pyes e kujt është jahta sepse është shumë private, privati i një jahti nuk pyet se i kujt është jahti tjetër. Jahti ka qenë më e vogël se jahti im dhe s’e kam pyet fare. Ne kemi shkuar të nesërmen, jemi larguar nga aty, por mund ta pyetni Rakiqin s’e kam ditë kush ka qenë aty kam qëndru 10 minuta. Nuk e di as sot se cili ka qenë Millan Radoiçiq”, tregoi tutje Pacolli në intervistë.

Kur u pyet në lidhje me bisedat që i ka zhvilluar me Rakiqin, Pacolli tha se “aty kam mujtë me lobu për marrëdhënie të mira me Agim Bahtirin por nuk kam biseduar për politikë me Rakiqin”.

Në lidhje me ato që i kishte thënë Pacolli dhe se kishte përmendur edhe Agim Bahtirin, KALLXO.com ka tentuar të marrë edhe një deklaratë nga ky i fundit.

I njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të KALLXO.com.