Behgjet Pacolli I Foto: MPJ

Behgjet Pacolli komenton rrëzimin e Qeverisë Hoti nga Kushtetuesja

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vendi të shkojë në zgjedhje, partitë politike duhet të tregojnë pjekuri.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se vota e një deputeti nuk është e ligjshme dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Këto janë kohërat më sfiduese politikisht të Kosovës, dhe tani ne kemi nevojë për pjekuri dhe respekt për vendimin e sotëm për të shkuar në janar në zgjedhje” ka shkruar ai.

Tutje Pacolli i ka bërë thirrje partive politike në vend që në zgjedhjet që pritet të mbahen të kenë një vizion më të mirë për Kosovën.

“Unë u bëj thirrje të gjitha partive që të kandidojnë me një vizion që e bën Kosovën më mirë se sot dhe jo me urrejtje dhe inate. Ne kemi nevojë për qartësi”, ka theksuar ai.

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim rreth ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.

Kushtetuesja ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, pjesë e së cilës nuk ishte partia e Pacollit, por që për ta votuar këtë qeveri Pacolli kishe bërë shumë mund të vinte në Kosovë në kohën  kur qytetarët futeshin në karantinë prej 15 ditëve në qendrën e studentëve.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.

Kushtetuesja shkarkon Qeverinë Hoti, shpall zgjedhjet e reja