Tryeza e D+

Bëhet thirrje që të përgatitet Qeveria e ardhshme për Procesin e Berlinit në 2020-në

Demokraci Plus (D+) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) kanë mbajtur sot një konferencë lidhur me Procesin e Berlinit dhe obligimet që ka Kosova nga ky proces.

Procesi i Berlinit që organizohet që nga vitit 2014 i ka dhënë Kosovës shumë detyra.

Në këtë konferencë u prezantuan obligimet që ka marrë Qeveria e Kosovës në këtë proces dhe premtimet për mirëqeverisje dhe sundim të ligjit.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin pjesëtarë të shoqërisë civile por edhe përfaqësuesit e dy partive politike që po negociojnë për të qeverisur së bashku, LVV dhe LDK.

Avdullah Hoti nga LDK tha se përftimet nga ky proces nuk janë të pakta, derisa përmendi edhe sfidat që lidhen më këtë proces.

“Përfitimet nga ky proces janë se është hera e parë që Kosova është trajtuar plotësisht e barabartë si vendet e tjera, edhe pse përfaqësimi në tri takimet e para ishte me fusnotë. Mosmarrëveshjet që kemi me Serbinë vazhdojnë ta pengojnë këtë proces. Po i përmend disa sfida: sfidat e brendshme që ne vetë ia krijojmë vetës, paqëndrueshmëria e brendshme politike, zgjedhjet e shpeshta, paqëndrueshmëria institucionale, institucionet e dobëta etj”, tha Hoti në këtë tryeze.

Ndërsa Albulena Haxhiu nga VV theksoi se Kosovës i nevojitet një qasje e re.

“Duhet të ketë një qasje ndryshe, një mendësi të re në rrugëtimin evropian dhe në përgjithësi në politikën e jashtme. Ajo çfarë kemi marrë si mesazh nga procesi i Berlinit është se vendet e Ballkanit nuk kanë perspektiv, nëse nuk i rregullojnë punët e tyre ‘punët e shtëpisë’. Kështu, fokusi vendoset te sundimi i ligjit, sepse Kosova ka më së shumti probleme me këtë”, tha ajo.