Bëhet ndërrimi i zyrtarëve policorë në Lagjen e Boshnjakëve (VIDEO)

Është bërë ndërrimi i zyrtarëve policorë të cilët po qëndrojnë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

Ndërrimi i policëve ka ndodhur në orën 20:00.

KALLXO.com po qëndron në veri të vendit ku po përcjellë nga afër zhvillimet që po ndodhin në këtë zonë.

Mbrëmë Policia e Kosovës e ka paralajmëruar  rritjen e prezencës së zyrtarëve në pjesën veriore të vendit me qëllim të arritjes së objektivave.

“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë” – ka thënë Policia.

Tutje Policia theksoi se ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të Policisë së Kosovës.

Gjithashtu, një pjesëtar i Policisë është plagosur mbrëmë rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit.

Ai po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është jashtë rrezikut për jetë dhe sipas drejtorit të Klinikës Torakale, Nazmi Kolgeci ai pritet të lirohet pas dy ditëve.

Herët në mëngjes është sulmuar edhe ekipi i KALLXO.com në veri nga persona të maskuar.