Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bëhet lansimi i ‘Agjendës për Barazi Gjinore në Policinë e Kosovës’

Me pjesëmarrjen e presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmetit, sot është bërë lansimi i Agjendës për Barazi Gjinore në Policinë e Kosovës.

Kjo Agjendë është kuadër të programit të Kosovës për barazi gjinore.

Presidentja Vjosa Osmani, tha se është e lumtur se janë bërë të gjithë bashkë për të diskutuar për një çështje, që siç e quajti ajo, është me prioritet kombëtar.

“Si presidente jam e përkushtuar për promovimin e grave në sektorin e sigurisë, si parakusht për suksesin e gjithmbarshëm të shoqërisë tonë.  Në qendër të kësaj qendre është barazia, diversiteti dhe të drejtat e njeriut të cilat janë shtyllat që është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.

Sipas saj, ndër elementet kryesore të sundimit të ligjit, është barazia e të gjithëve para ligjit dhe parimi i mos-diskriminimit.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se agjenda e barazisë gjinore në Kosovë, është ballafaquar me sfida të shumta ndër vite.

“Policia e Kosovës prezanton agjendën për barazinë gjinore dhe planin e veprimit 2021-2023, si një nga nismat e parapara në programin e Kosovës për barazi gjinore. Policia na dëshmon përkushtimin dhe qasjen proaktive, për të përfshirë më shumë gra në radhët e veta”, tha ndër të tjera kryeministri.

Diskutimi është organizuar nga Policia e Kosovës, me rastin e lansimit të Agjendës për Barazi Gjinore dhe planit të veprimit 2021-2023. Agjenda gjinore në Polici është pjesë integrale e programit ‘Kosova për barazi gjinore 2020-2024’. Agjenda synon fuqizimin dhe promovimin e grave në vendimmarrje, në institucionet e sigurisë në Kosovë.