Bëhen homazhe për këngëtaren Violeta Rexhepagiqi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi  e përcjellë nga stafi i MKRS-së, në një ceremoni të organizuar para objektit të ministrisë, kanë bërë homazhe për këngëtaren, kompozitoren dhe gazetaren, Violeta Rexhepagiq. 

 Në mënyrë simbolike, ministrja Dumoshi ka vendosur një buqetë lule pranë fotografisë së këngëtares të vendosur para objektit të MKRS-së,  

Në shenjë nderimit të këngëtares, Violeta Rexhepagiq, e cila ndërroi jetë dje, MKRS ka vendosur në hyrje të saj një foto të këngëtares përcjell me 39 këngë nga arkivi i Violeta Rexhepagiqit.  

Pas homazheve, Ministrja Dumoshi ka thënë se  sado simbolike, kjo ceremoni shkon për kujtimin e veprës së këngëtares, e cila përjetësisht do të mbetet një emër i paharruar për artin dhe kulturën e Kosovës. 

 “Për të kujtuar Violetën e kemi vënë fotografinë e saj me disa lule dhe 39 këngët e saj sot do të dëgjohen tërë ditën, këtu para Ministrisë. Me këtë rast i ngushëlloj të gjithë artistët të gjithë kolegët e saj në veçanti familjen e cila e humbi motrën dhe ne do t’u rrimë për krah në forma të ndryshme që sado pak t’i ngushëllojmë në këtë kohë pandemie, pasi nuk ka ndonjë mundësi tjetër që përcjellja e saj të jetë ashtu siç ajo e ka merituar”, tha në fund ministrja Dumoshi. 

 Këngëtarja Violeta Rexhepagiq ka vdekur dje në Prishtinë në moshë 55 vjeçare.