
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj. Foto: Presidenca e Shqipërisë.
Begaj: Të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po qëndron në Kosovë në kuadër të vizitës së tij dyditore për pavarësinë e Kosovës.
Në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë, me rastin e 17-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në mbrëmjen e 17 shkurtit 2025, Begaj kërkoi që vendet e BE-së të rishikojnë qëndrimet e tyre dhe krahas kësaj BE-ja të heqë masat e vendosura padrejtësisht ndaj shtetit të Kosovës.
“Kosova ka provuar se jo vetëm di të kërkojë, të mbrojë e të respektojë lirinë dhe demokracinë, por edhe të përmbushë përgjegjësitë ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj komunitetit ndërkombëtar.” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Begaj u bëri thirrrje shqiptarëve për unitet, bashkëpunim dhe përkushtim për të ruajtur dhe çuar përpara atë që kanë arritur deri tani.
“Ne besojmë se Evropa e Bashkuar është destinacioni ynë strategjik dhe jetik. Është një projekt në shërbim të paqes, demokracisë, sigurisë, stabilitetit e prosperitetit. Shqiptarët besojnë në Bashkimin Europian, në vlerat që ai përfaqëson, si dhe në përkushtimin për zgjerim, por mosnjohja e shtetit të Kosovës është akt që bie ndesh me këtë përkushtim.” – tha ai, njofton Presidenca e Shqipërisë.
Begaj do të qëndrojë edhe më 18.02.2025 në Kosovë, ashtu siç njoftoi Policia e Kosovës një ditë më parë.
Shtetet e Bashkimit Europian nuk e kanë ende një qëndrim unik rreth heqjes së masave. Masat ndëshkuese u aplikuan në qershor të vitit 2023, e shpresat që ato të hiqeshin në vitin 2024 ishin të mëdha në Kosovë.
Në muajin qershor 2024, kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell ua kishte dorëzuar vendeve anëtare të BE-së Raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës. Në Raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit 2023.
Kreu i Ekzekutivit, Albin Kurti ka vlerësuar në vazhdimësi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave të vendosura ndaj saj dhe se të njëjtat bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE dhe sidomos në planin e rritjes.
“Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të Dialogut të reformave të BE-së. Në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen.” – kishte thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Europian, më 02.05.2024.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur Kryetarët e rinj nisën punën e tyre në Komunat në veri, pas Zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Ndër masat e BE-së është edhe suspendimi i përkohshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat e tjera janë suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).