Begaj: Shqipëria është pranë Kosovës për çdo anëtarësim ndërkombëtar

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se shteti shqiptar është pranë Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO dhe OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, Begaj ka përshëndetur angazhimin e SHBA-së dhe BE-së për dialogun me Serbinë, duke theksuar nevojën për njohje reciproke mes dy vendeve.

“Pavarësia e Kosovës ishte drejtësia shekullor që komuniteti ndërkombëtar i detyrohej shqiptarëve. Kam kënaqësi të jem mes jush në këtë ditë të shënuar për kombin shqiptar. Jemi një komb që ka përballur me dinjitet historinë e vështirë të rajonit e ka kontribuar për paqe në rajon dhe Evrope pavarësisht se i ndarë prej kufijsh. Është ditë krenarie për ne të gjithë por edhe mirënjohje për ShBA, BE dhe shteteve të tjera që iu gjendën pranë Kosovës” – ka thënë ai.

“Jam shpresëplotë tek shoh arritjet e bashkombësve tanë në Ballkan e përtej, kam besim se si përfaqësues të dijmë të bëhei mbështetës baëshkombësve tanë, duke bashkëpunuar për promovimin e vlerave. Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës, shtet për jetë!”- ka thënë tutje Begaj në Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së vendit.

Nën tingujt e performancës së orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, nga të cilët u interpretua himni kombëtar, u hap seanca e Kuvendit.