Samiti i Bërdo - Brione në Slloveni, Foto: Bajram Begaj/Facebook

Begaj nga samiti në Slloveni: Mbështetje të plotë për dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur mbështetjen e plotë për dialogun Kosovë – Serbi.

Nga Sllovenia ku po mbahet samiti i Brdo-Brionit, Begaj ka thënë se ky proces është e vetmja mënyrë për zgjidhje të qëndrueshme.

Tutje ka theksuar se në këtë samit është diskutuar mbi atë se procesi i zgjerimit është çështje gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

“Shumë e rëndësishme të diskutonim hapur për nxitjen e bashkëpunimit rajonal si dhe dërgimin e mesazhit të përbashkët se procesi i zgjerimit është tashmë një çështje gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Një rrugë e përshpejtuar e afrimit me BE-në është e domosdoshme tashmë. Mbështetje të plotë dialogut Kosovë-Serbi, si e vetmja mënyrë për zgjidhje të qëndrueshme dhe që i shërben paqes, sigurisë dhe progresit në rajon” – ka shkruar Begaj.

Samiti Bërdo-Brioni i liderëve të Ballkanit Perëndimor është mbajtur sot në Slloveni.

Përveç nikoqirit të takimit, presidentit slloven, Borut Pahor, kanë marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Shqipërisë, Bajram Begaj, i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Temat të cilat do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashkërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog.