Ragip Begaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Begaj: Gratë nuk po duan të marrin përgjegjësi, prandaj kemi mbet me një drejtoreshë

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në fushatën zgjedhore të vitit 2017, kishte premtuar se dy apo tri grave do t’ua besonte drejtoritë komunale. Por, në këtë komunë, nga 11 drejtori vetëm një udhëhiqet nga një grua.

Në emisionin “Jeta në Komunë”, Begaj ka thënë se ka biseduar me disa gra, por se sipas tij, nuk kanë pranuar të marrin post.

“Kam premtuar që do t’i kem dy ose tri gra drejtoresha, por s’kemi mujt me gjet mirëkuptim. Prej femrave kam kërkuar prej dy me u bë drejtoresha, s’kanë pranu m`u bo, pastaj kemi vazhdu me një qysh ka mbet. Nuk është që s’po më besojnë, por s’po dojnë me marrë përgjegjësi, se unë kam pasur synim me i bo dy ose tri. Këtë s’kam mujt me bë për shkak të vullnetit të atyre që të marrin përgjegjësi si drejtoresha”, shtoi Begaj.

Sonte në serinë e debateve “Jeta në Komunë” është i ftuar kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Begaj përballë Jeta Xharrës, asamblistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, do të ballafaqohet me premtimet e vitit 2017.

Begaj do të flas për politizimin e arsimit në këtë komunë, drejtorët e shkollave me aktakuza, problemet me ujësjellës e kanalizim si dhe gurëthyesit që operojnë në këtë komunë.

Të ftuar në studio janë: Alban Krasniqi asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Mazreku nga PDK, Nexhat Krasniqi, ish-kandidat për kryetar të komunës dhe Bukurije Rrustemi, aktiviste.

Ndërsa në ZOOM merr pjesë Flutura Zymi, aktiviste e shoqërisë civile.