Bedri Krasniqi sërish para gjykatës, akuzohet për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit
Në gjykimin ndaj Bedri Rexhepit, i cili akuzohet për kanosje ndaj dëshmitarit, personi i cilësuar si i dëmtuari sipas prokurorisë – Shkumbin Mehmeti ka deklaruar se ai ndihet i dëmtuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe jo nga Bedri Krasniqi.
“Prokurori tregoi se i akuzuar është Bedri Krasniqi por unë jam i dëmtuar nga Shërbimi Korrektues, jo nga Bedri Krasniqi. Për arsye se prej vitit 2012 deri në ditën kritike kam qenë në tretman të dëshmitarit të mbrojtur. Unë kam qenë i izoluar. Pikërisht sepse Shërbimi Korrektues ka vlerësu se jam i rrezikuar. Atë ditë Shërbimi Korrektues më ka fut në furgon me Bedri Krasniqin, dhe unë kam besu se kjo është e qëllimshme. Sepse kjo është bërë përderisa e kam pas statusin e dëshmitarit të mbrojtur” – ka deklaruar mes të tjerash në fjalën e tij hyrëse Shkumbin Mehmeti.
Kurse prokurori i rastit Blerim Igrishta deklaroi se Prokuroria e Shtetit është munduar që ta bindë Gjykatën se pikërisht i akuzuari Bedri Krasniqi është personi i cili ka kryer veprën penale siç është përshkruar në aktakuzë.
E vetë i akuzuari Bedri Krasniqi u deklarua i pafajshëm lidhur me aktakuzën duke thënë se asnjëherë më i pafajshëm nuk është ndjerë.
Gjyqtari Sabit Sadikaj kumtoi se Bedri Krasniqi nuk e ka ushtruar të drejtën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Më tutje procedura kaloi në fazën e administrimit të provave kur i dëmtuari dëshmitar, Shkumbin Mehmeti duke ju përgjigjur pyetjes të prokurorit tha se nuk ka interes të dëshmojë.
“Me gjithë respektin ndaj trupit gjykues dhe prokurorit unë nuk kam interes të dëshmojë sepse aktakuza është e selektume vetëm ndaj Bedri Krasniqit por jo ndaj tyre që e kanë përgatitur transportin. A mund ta refuzojë dëshminë?” – pyeti Shkumbin Mehmeti.
“Jo” – u përgjigj gjyqtari Sabit Sadikaj.
Kështu Shkumbin Mehmeti vazhdoi me dëshminë duke pohuar se në ditën kritike ishte takuar me Bedri Krasniqin dhe ishin përshëndetur.
“Nuk më kujtohen detajet por unë kam qenë i befasuar kur e kam taku Bedri Krasniqin. Se po e përsërisë kam qenë 8 vite i izoluar. Dhe atë ditë po ata shefa, drejtora më takojnë me Bedriun” – shtoi Shkumbin Mehmeti.
Prokurori më tutje ia lexoi Mehmetit një deklaratë të tij të mëhershme.
“I njëjti të është drejtu me fjalët qysh je, qysh e ki familjen? E di që e ki familjen në Francë, djalin 4 vjeç, dhe vëllezërit me kabllo interneti… prej sakaq ti ke deklaru se je ndje i frikësuar” – parashtroi prokurori Blerim Igrishta.
“Unë nuk i mbaj mend detajet për mua personalisht atë ditë, çdo fjalë që e kam shkëmby me Bedrinë ka qenë kërcënuese, jo për çka ka thënë ky, po që oficerët që na rujshin atë ditë na lanë m`u taku” – u përgjigj Shkum Mehemeti, duke potencuar se në hapësirën në kombi kanë qenë vetëm ata, kurse oficerët në hapësirë të ndarë ‘që s’besoj se na kanë dëgju’.
Aty ndërhyri Bedri Krasniqi duke thënë se me Shkumbin Mehmetin njihen familjarisht dhe se i njëjti ka qenë prej personave që ai i ka dashur.
Tutje prokurori i rastit propozoi që seanca të ndërpritet dhe të ftohen 2 personat që kanë qenë prezentë dhe të dëgjohet edhe versioni i tyre përkatësisht Sabahedin Durmishi dhe Bujar Çardaku – gardianë gjatë ngjarjes në fjalë.
Ky propozim nuk u kundërshtua nga Bedri Krasniqi e as nga Shkumbin Mehmeti.
Seanca u ndërpre me aktvendim të gjyqtari Sabit Sadikaj i cili seancën e radhës e caktoi më 21.10.2024.
Krejt në fund të seancën Shkumbin Mehmeti tha se në seancën e radhës do të paraqitet vetëm nëse ka nevojë për dëshmi por jo si i dëmtuar.
As i akuzuari as i dëmtuari në këtë rast nuk kanë angazhuar avokat.
“Unë ndihem i shqetësuar dhe i rrezikuar nga mosmbrojtja e shtetit ndaj meje e posaçërisht nga oficerët korrektues…. Unë kam pasur disa fjalë prej Bedrisë gjatë rrugës. Prokurorja ka refuzu me më dhënë mbrojtje”- ishte shprehur ndër të tjera Shkumbin Mehmeti.
Çka thotë dosja e prokurorisë?
Sipas aktakuzës së ngritur me 23.10.2019 Bedri Krasniqi nga Prokuroria e Prishtinës akuzohet për veprën penale të Kanosjes.
Prokurorira pretendon se më datën 18.04.2019 rreth orës 09:00 në rrugën prej Burgut të Sigurisë së Lartë të Gërdovcit të Podujevës në drejtim të Prishtines, i pandehuri Bedri Krasniqi me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin Shkumbim Mehmeti.
Kjo potencohet të jetë bërë gjatë transportimit të tij për në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali dhe pasi i pandehuri dhe i dëmtuari janë vendosur në të njëjtin automjet transportues përkundër që kishte një ndarje fizike në mes tyre.
I pandehuri, thuhet aty, ka komunikuar me të dëmtuarin para hyrjes në automjet dhe gjatë transportit duke e kanosur seriozisht të dëmtuarin me fjalët: qysh e ki familjen, e di se familjen e ki në Francë dhe se djalit yt i ka bërë katër vite, po ashtu vëllëzërit tuaj punojnë me disa kabllo interneti. Kjo sipas prokurorisë, duke i bërë me dije të dëmtuarit për mundësinë e arritjes së qëllimeve ndaj tyre. Sipas dosjes Krasniqi ka vazhduar duke thënë: “Është më mirë të kujdesesh për familjen tënde, e mos të merresh me punë tjera” duke aluduar në mosdëshmimin e tij ndaj të pandehurit në çështjen penale të vrasjes së rëndë të dy policëve, ngjarje kjo e cila ka ndodhur në vitin 2004.
Gjithnjë sipas organit ndjekës me këto fjalë i pandehuri seriozisht e ka shqetësuar të dëmtuarin se do ta privoj nga jeta ose që do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor ndonjë anëtari të familjes.