Foto: KALLXO.com

Bedri Istrefi: Nuk ka zjarr në ndërtesën e Telekomit

Pas raportimit të mediave për një zjarr në ndërtesën e Telekomit të Kosovës në lagjen Dardania, në Prishtinë, ka reaguar kryeshefi ekzekutiv i Telekomit Bedri Istrefi.

Ai ka mohuar që ndonjë pjesë e ndërtesës të jetë përfshirë nga zjarri.

“Sipas orarit dhe detyrave të punës, punonjësit dhe zyrtarët e Telekomit janë në vendin e vet të punës dhe nuk ka kurrfarë zjarri në objektin apo zyrat e Telekomit”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky është postimi i tij i plotë:

Sqarim për opinion

Nuk ka zjarr në Postën as Telekomin e Kosovës. Gjithçka është në rregull dhe demantojmë lajmin për gjoja “shpërthimin e zjarrit në Postën e Kosovës”.

Sipas orarit dhe detyrave të punës, punonjësit dhe zyrtarët e Telekomit janë në vendin e vet të punës dhe nuk ka kurrfarë zjarri në objektin apo zyrat e Telekomit.

Telekomi i Kosovës është duke funksionuar normalisht, pa asnjë pengesë apo vështirësi. Qytetarët nuk duhet të kenë asnjë lloj shqetësimi për këtë informatë të pasaktë të lansuar me qëllime të caktuara.

Ftojmë mediat që para çdo emetimi të lajmit, të marrin informata të sakta dhe zyrtare nga përgjegjësit për komunikim në Telekom, të cilët janë në dispozicion 24 orë çdo ditë të javës, për të konfirmuar çfarëdo shqetësimi para publikimit, për hir të informimit të saktë dhe objektiv.”