
Foto: Bedri Hamza, Facebook
Bedri Hamza premton rritje 50 për qind e pagave për sektorin publik
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar masat që do t’i marrë në kuadër të zotimit të dytë të tij.
Ai ka thënë se në muajt e parë të qeverisjes, pagat në sektorin publik do të rriten për 50%. Kjo rritje, sipas tij, garanton paga të dinjitetshme për të gjithë shërbyesit civilë dhe është shpërblim i duhur për shërbimin e tyre ndaj shtetit dhe qytetarëve.
Hamza tha se nuk do të tatohet asnjë pagë nën 400 euro.
Në zotimin e dytë, ai ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve.
“50% rritje të pagave në sektorin publik. 70% rritje të pensionit bazik. Rriten pensionet kontributdhënëse dhe përshkallëzohen sipas viteve të përvojës së punës. 50% rritje të përfitimeve për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët”- ka thënë Hamza.
Në një tjetër postim në Facebook, Hamza ka thënë se kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme dhe se s’do të ketë tatime për pagat deri në 400 euro.
“Kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme dhe Kosovës i duhet një qasje e re për ta përmirësuar mirëqenien e qytetarëve”- shkruan ai në Facebook.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.