Bedri Hamza: Përveç PDK-së, partitë tjera i kanë bërë sherr kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës

Në seancën e jashtëzakonshme e cila po mbahet sot me dy pika të rendit të ditës, ka filluar edhe diskutimi nga ana e partive politike në lidhje buxhetin për vitin 2021.

Në këtë seancë janë paraparë të mbahen dhe të diskutohen dy pika të rendit të ditës ajo për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 si dhe Votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza tha se partitë tjera përveç asaj që përfaqëson ai, i kanë bërë sherr kuvendit por edhe qytetarëve të Kosovës.

“Këto parti politike në përjashtim të PDK-së realisht i kanë bërë sherr këtij kuvendi, sherr popullit dhe i kanë dëmtuar qytetarët e Kosovës. Kanë ardhur me premtimet shumë pompoze, shumë të mëdha se do të jenë koalicion i shpresës. Doli që janë koalicion i dëmtimit të interesit të vendit. Me qenë marrë e mirë qeveria e kish aprovu buxhetin në kohë, e kishin aprovu buxhetin pa pasur nevojë që ne të vijmë dhe vendi të vijë në çfarë situate çfarë ka ardhur”, tha Hamza.

Ai shtoi se qeveria aktuale ka mungesa të numrave për të votuar edhe iniciativat ligjore të cilat janë dërguar në kuvend.

“Mungesa e fuqisë politike, mungesa e numrave nuk e di pse një qeveri pranon me nejt në pushtet kur nuk i ka numrat dhe nuk mundet me i kalu as iniciativat ligjore kur nuk e ka shumicën e thjeshtë”, shtoi ai.

Hamza përmendi se para pak kohësh kanë kërkuar në një seancë të jashtëzakonshme për ta futur në rend dite mocionin procedural për ligjet në lidhje me pakon emergjente.

“Nuk është moti kur PDK në një seancë të jashtëzakonshme ka kërkuar mocion procedural për me i shti në rend dite ligjet për pako emergjente. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga qeveria e atëhershme nga koalicioni LVV- LDK dhe partitë tjera. Zonja kryetare edhe ju e mbani mend që nuk keni pranuar që një mocion i tillë të hidhet në votim”, shtoi Hamza.

Tutje ai tha edhe se vendimet duhet të votohen për interesa të qytetarëve.

“PDK kemi qenë opozitë e partive politike në pushtet por jo e shtetit, e interesave qytetare dhe këtë e kemi dëshmuar, prandaj po flasim për mocion procedural dhe tu e pas për bazë rëndësinë e temës, sepse nuk jemi këtu me përkrah qeverinë, sepse qeveria, vendimi e qoj te shpia se e pa që nuk po bën por jemi këtu me i përkrah interesat e qytetarëve të vendit. PDK do të jetë në përkrahje të mocionit procedural me qëllim që të ecim tutje me këtë temë”, tha në fund Hamza.