
Foto: Bedri Hamza, Facebook
Bedri Hamza: Nuk përfshihemi në asnjë koalicion me LVV-në
Kandidati për Kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në një Konferencë për media, një ditë pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka shprehur qëndrimet për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, që sipas tij nuk do të ndodhë.
“Shumica e qytetarëve shqiptarë që votuan nuk duan që e njëjta Qeveri të vazhdojë, prandaj u fuqizuan partitë opozitare. Më obligon mua që të sillemi ashtu që ta respektojmë vullnetin e shumicës për ndryshim. Nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me VV-në. Ata duan pushtet absolut.” – tha ai.
Hamza falënderoi gjithashtu “qytetarët për Zgjedhje fer e pa probleme. Zgjedhja e qytetarëve ishte shembullore. I uroj partitë për rezultatet e tyre. Vullneti i juaj u shpreh qartë.” – tha ai.
Kandidati Hamza përmendi edhe rënien në vota të Lëvizjes Vetëvendosje dhe sipas tij këto vota erdhën në PDK dhe LDK.
Tutje, ai bëri të qartë edhe njëherë procedurat për formimin e Qeverisë së re.
“Procedurat janë të qarta. Partia e parë e ka të drejtën me fillu këtë proces. Nëse dështon, ne si parti opozitare ulemi pasi që dalin rezultatet zgjedhore zyrtare dhe normalisht negociojmë.” – tha ai, kur u pyet nëse ai do të bëjë koalicion me partitë opozitare.
Sipas tij, PDK ka një detyrë për qytetarët, që t’i sjellë qytetarëve Qeverinë që duan dhe se për këtë thotë se do të marrin të gjithë hapat e nevojshëm.
Në momentin kur janë numëruar mbi 97% e votave, Partia Demokratike del e dyta, me 22.21, apo 181 mijë 552 vota.