Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bedri Hamza: Gjendja e sigurisë në Mitrovicën e Jugut është e qetë

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza ka folur para pak minutave për situatën në veri, duke thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe se situata në jug është e qetë.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës. Neve na intereson qetësia e qytetarëve. I ftoj qytetarët të rrijnë të qetë. Institucionet përgjegjëse janë profesionale, janë kompetente dhe jam i sigurt që do të kryejnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Bedri Hamza në një deklaratë dhënë për Televizionin Tëvë 1.

“Sa i përket pjesës jugore, gjendja është nën kontroll. Nuk ka asnjë provokim”, tha kryetari në mes tjerash ai.

Serbët lokal në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës.

Qytetarët që po udhëtojnë në këtë pjesë po përdorin rrugë alternative pas bllokadave të vendosura. Ndërkaq, sirena janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut, që rëndom lëshohen kur ka ndonjë organizim.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur dy pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti përmes një video-adresimi ka deklaruar se sitautëa në veri mund të jetë sfiduese në vazhdim për shkak të ngjarjeve që po ndodhin atje.

Ai ka njoftuar se organet e rendit janë duke mbledhur informacione dhe se do të veprojnë të mbrojtje të ligjit, qytetarëve dhe sovranitetit të vendit.

VIDEO – Kryeministri Kurti flet për situatën në veri