Bedri Hamza - Foto: KALLXO.com

Bedri Hamza flet për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, thotë se PDK-ja vepron në interes të shtetit

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në një konferencë për media ka folur lidhur me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Hamza ka thënë se PDK-ja ka dëshmuar qe ka qenë në interes të shtetit kur ka votuar vendimin për ndarje buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

“Jemi në një situatë ku flasim për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, dhe ne prapë po themi që nuk dëshirojmë të bëjmë pengesa në këtë drejtim. Opozita po kërkon që të ulemi dhe ta bëjmë më të mirin, sepse Ligji që ka ardhur nga Qeveria nuk është adekuat”, ka deklaruar Hamza.

Sipas tij, bizneset duhet të përkrahen me anë të granteve, ndërsa ka shprehur gatishmëri që PDK-ja të ulet të bisedojë dhe t’i japë propozimet e veta.

“Ne mund ta përkrahim Ligjin si të tillë, por nuk i adreson nevojat e ekonomisë, është ligj i varfër”, tha ai.

Në lidhje me Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës, Hamza ka thënë se ky Ligj nuk ka për qëllim të cenojë asnjë lloj lirie të askujt, ndërsa ka thënë se janë të hapur që të diskutojnë me shoqërinë civile që të plotësohet apo ndryshohet.

“Nuk ka qenë qëllimi i atyre që kanë qenë pjesë e UÇK-së me cenu lirinë por me pru lirinë”, ka thënë Hamza.