Foto: Bedri Hamza, Facebook
Bedri Hamza anulon tubimin me diasporën në Vjenë, pas sulmit në Zubin Potok
Pas sulmit në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka anuluar takimin me bashkatdhetarë në Vjenë të Austrisë.
“Bashkatdhetarëve të mi në Austri, të cilët sonte kisha planifikuar t’i takoj, ju kërkoj ndjesë për mungesën time në tubimin e sotëm në Vjenë. Për shkak të ngjarjeve në veriun e vendit, që kanë shkaktuar pasoja të rënda, kam anuluar pjesëmarrjen për t’ju qëndruar pranë qytetarëve në këtë periudhë të ndjeshme”- ka shkruar Hamza njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, më 30.11.2024.
Hamza është shprehur se bashkëatdhetarët bashkëndjejnë në këto momente edhe me qytetarët e Koosvës, pas ngjarjeve në veri të vendit.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast.Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim.Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit