Ilustrim

BE: Talibanët nuk kanë dhënë zotim për rihapjen e shkollave për vajzat afgane

Autoritetet talibane nuk kanë dhënë asnjë zotim për rihapjen e shkollave dhe universiteteve për gratë dhe vajzat afgane gjatë vitit të ri shkollor.

Kështu deklaroi një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian në Kabul më 5 mars.

I dërguari i posaçëm i BE-së për Afganistanin, Tomas Niklasson, tha se ai nuk ka dëgjuar “asnjë zotim” nga ministrat talibanë gjatë takimeve të tij lidhur me këtë çështje.

“Hapja e shkollave dhe universiteteve për ofrimin e edukimit kualitativ për djemtë dhe vajzat afgane, gratë dhe burrat, nuk është opsional”, tha Niklasson.

Kufizimet drakoniane të talibanëve ndaj grave

Gusht 2021: Pak ditë pasi marrin pushtetin, talibanët udhëzojnë gratë të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i shmangin udhëtimet.

Shtator 2021: Shpërbëhet Ministria e Çështjeve të Grave dhe zëvendësohet me Ministrinë për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimit të Vesit. Në universitet aplikohet kod i ashpër i veshjes dhe ndarja gjinore. Grave u ndalohet të marrin pjesë në të gjitha sportet.

Nëntor 2021: Gratë urdhërohen që të shoqërohen nga një kujdestar mashkull gjatë vizitave në qendrat e kujdesit shëndetësor. Grave u ndalohet të shfaqen në programet argëtuese televizive.

Dhjetor 2021: Grave u ndalohet të udhëtojnë më shumë se 72 kilometra nga shtëpitë e tyre pa një shoqërues mashkull.

Janar 2022: Talibanët rikthejnë policinë e frikshme të moralit, që zbaton kufizimet ndaj lëvizjeve të grave dhe pamjes së tyre.

Shkurt 2022: Talibanët u vendosin kufizime salloneve të bukurisë, duke detyruar shumë prej tyre që të mbyllen

Mars 2022: Talibanët nuk mbajnë premtimin e tyre për t’i hapur shkollat për nxënëset adoleshente në fillimin e vitit të ri shkollor në Afganistan.

Maj 2022: Të gjitha gratë urdhërohen të mbulojnë fytyrën e tyre në publik duke veshur burka ose nikab, veshje që janë të zakonshme në vendet e Gjirit Arabik.

Tetor 2022: Grave u ndalohen drejtimet universitare si gazetaria, inxhinieria, ekonomia, agrikultura e shkencat e veterinarisë.

Nëntor 2022: Grave u ndalohet t’i përdorin palestrat dhe të hyjnë në banjat publike dhe parqet.

Dhjetor 2022: Grave u ndalohet mësimi në universitetet publike dhe private. Organizatave joqeveritare lokale dhe ndërkombëtare u ndalohet punësimi i grave afgane.

Që kur grupi i linjës së ashpër u rikthye në pushtet në gusht të vitit 2021, Afganistani është bërë shteti i vetëm në botë që ua mohon shkollimin grave.

Aktualisht gratë dhe vajzat afgane nuk mund të shkollohen pas klasës së gjashtë dhe as të shkojnë në universitet. Përveç shkollimit, gratë dhe vajzat afgane janë privuar edhe nga të drejta të tjera./REL.