BE sot i jep Kosovës 5 milionë euro ndihmë të menjëhershme për luftimin e COVID-19

Bashkimi Evropian nënshkruan sot kontratën e ndihmës prej 5 milionë eurosh për Kosovën për luftimin e COVID-19.

Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Brendan Keirnan, Shef i Zyres në Prishtinë, UNOPS, Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Kosovës, Arben Vitia, Ministër në detyrë i Shëndetësisë i Kosovës do të nënshkruajnë kontratën në vlerë prej 5 milionë eurosh, e cila është ndihmë e menjëhershme për Kosovën.

Kontrata do të përfshijë furnizimin me pajisje të specializuara laboratorike dhe mjete për mbrojtjen nga COVID-19 dhe trajtimin e tij, për nevojat e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë. Pajisjet përfshijnë respiratorë/ventilatorë, pompa infuzioni dhe pompa infuzioni shiringë, auto-ambulanca, oksimetër pulsi në gisht dhe oksimetër pulsi, monitorues të pacientëve, defibrilatorë, elektrokardiografë.

Në komunikatë thuhet se në rast se disa nga artikujt e mësipërme nuk mund të sigurohen, do të prokurohen furnizimet e artikujve të tjerë të nevojshëm, siç janë testet, gypat, maskat, dorezat dhe dezinfektuesit. Artikujt do të blihen përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), e cila do të jetë nënshkruesi tjetër i kontratës.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka ndarë 68 milionë euro për Kosovën.

Sipas publikimit në Facebook 5 milionë euro do të ndahen për nevoja të menjëhershme, 50 milionë euro për sektorin socio-ekonomik për të luftuar ndikimin që COVID-19 po i shkakton këtij sektori. Po ashtu BE ka dhënë edhe 13 milionë euro për buxhetin e Kosovës.

Në Kosovë deri më tani janë identifikuar 94 të prekur me coronavirus, ndërsa një person nga vdekur pasi u prek nga ky virus.

BE paralajmëron deri në 68 milionë euro ndihma për Kosovën