
BE: Sjellja e Serbisë në Këshillin e Europës në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit
Një zëdhënës i Bashkimit Europian (BE) ka thënë se Serbia me sjelljen e saj ndaj Kosovës në Këshillin e Europës është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023.
“Sjellja e Serbisë në Këshillin e Europës është në kundërshtim të qartë me detyrimet e Marrëveshjes së Ohrit nga Serbia (d.m.th. moskundërshtimi i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare – neni 4)”- thuhet në përgjigjen e zëdhënisit për Kallxo.com.
Kërkesa e Kosovës për t’u bërë mysafire speciale është larguar nga agjenda e mbledhjes së Komitetit Politik për Punë të Jashtme dhe Demokracisë të Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Europës më 05.03.2025.
“Në hapjen e takimit të sotëm në Paris, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci të APKE-së vendosi të heqë nga rendi i ditës pikën numër 5: “Kërkesa për statusin e mysafirit special nga Kuvendi i Kosovës”- u përgjigj Këshilli i Europës për Kallxo.com.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, kishte deklaruar se kërkesa e Kosovës për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është larguar nga rendi i ditës.
Kështu ka thënë Bërnabiq gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, duke thënë se kështu e ka njoftuar shefja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Bilana Pantiq.
Neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Kosova ka qenë pjesë e kësaj agjende për takimin që u mbajt në Paris.
Mysafiri special ka kompetenca, por deri diku ato janë të kufizuara.
Sipas Rregullores të Asamblesë Parlamentare, Byroja mund t’u japë statusin e mysafirit special parlamenteve kombëtare të shteteve europiane joanëtare që kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës.
Qeveria e Kosovës në shkurt të vitit të kaluar kishte marrë vendim që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit – që ishte kusht për anëtarësim.
Pas këtij vendimi, vendi mori dy drita të gjelbra, e në të tretën u kurthua. Ishte kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ajo që e la Kosovën jashtë agjendës. Disa shtete anëtare kërkuan dorëzimin e projektstatutit për themelimin e Asociacionit, si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim.
Mosdërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i hartuar nga Bashkimi Europian, ishte arsyeja që la Kosovën jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17.05.2024.
Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare.
Këta delegatë kanë miratuar Raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KiE.
Nga 171 delegatët të cilët morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.
Kosova ka aplikuar më 12.05.2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.