Takimet në Bruksel, 22 shkurt 2022, Foto: Twitter

BE: Rryma në veri dhe të pagjeturit - temat që janë diskutuar në takimin 11-orësh mes Kosovës dhe Serbisë në shkurt

Çështja e rrymës në veri të Kosovës dhe zgjidhja e fatit të personave të pagjetur, ishin tema që u diskutuan për 11 orë në takimin e mbajtur në fund të muajit shkurt në Bruksel mes dy kryenegociatorëve të Serbisë dhe Kosovës.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.

Sipas Stanos, në fund të shkurtit, emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime me dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar çështjet lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të kaluara dhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve.

“Në fund të shkurtit, përfaqësuesi Lajcak zhvilloi takime me dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një sërë çështjesh konkrete për të diskutuar çështjet lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, si dhe hapat e ardhshëm në normalizimi i marrëdhënieve me synimin për të përgatitur terrenin për takimin e radhës të nivelit të lartë të Dialogut”, ka thënë Stano për KALLXO.com.

Stano ka treguar se pas negociatave intensive prej 11 orësh, palët iu afruan gjetjes së një gjuhe të përbashkët për çështjen e energjisë në veri dhe zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Pas 11 orësh me negociata intensive, palët iu afruan gjetjes së gjuhës së përbashkët për disa çështje me rëndësi vendimtare për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, siç është energjia për veriun e Kosovës dhe zgjidhja e fatit të personave të pagjetur”, shpjegon Stano.

Në përgjigjen e Stano-s për KALLXO.com gjithashtu thuhet se Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajcak mbetet në diskutime intensive me të dyja palët për disa rezultate konkrete, duke përfshirë energjinë dhe personat e pagjetur.

“Përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak mbetet në diskutime intensive me të dyja palët për disa rezultate konkrete, duke përfshirë energjinë dhe personat e pagjetur, për një takim të nivelit të lartë të dialogut ndërmjet liderëve që synon avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, njofton Stano.

Për një takim të ardhshëm, ai ka thënë se “do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të Dialogut nëse dhe kur është e nevojshme”.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës pas takimit në Bruksel, kishte dalë me komunikatë për media.

Në komunikatë ishte përmendur se u diskutua për çështjen e personave të zhdukur dhe ajo e energjisë por, pa u specifikuar energjia në veri.

“U fol për energjinë në kuadër të marrëveshjes ekzistuese. Diskutimet me Bashkimin Evropian në këtë fushë kanë shënuar progres, megjithatë mbeten ende detaje për t’u trajtuar”, thuhej në komunikatën e Qeverisë.

Gjatë ditës së sotme zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane ka njoftuar se grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë do të takohen të enjten, 7 prill, për finalizimin e marrëveshjes së targave.

“Të enjten e ardhshme kanë takim grupi punues i Kosovës dhe Serbisë, për me u mundu me finalizu marrëveshjen për targat. Ne shpresojmë me finalizu dhe takimi i fundit është me 20 prill, ndërsa me 21 prill në të cilin kuptohet a kemi zgjidhje apo jo”, ka thënë Bislimi.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.

Që nga ajo kohë, grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë kanë mbajtur disa takime për arritjen e një marrëveshje për çështjen e lirisë së lëvizjes.