
Policia e Kosovës në Zveçan, Foto:KALLXO.com, 26.05.2023
BE reagon për situatën në veri: Nuk do të pranojmë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm
Bashkimi Evropian ka reaguar pas zhvillimeve në veri duke thënë se dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, “të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.
BE ka thënë se nuk do të pranojë asnjë veprim të “mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet”.
“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet”
“Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së”- thuhet në reagimin e BE-së.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka thënë se SHBA dënon veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”- ka shkruar Hovenier në Twitter.
Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.