Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

BE reagon ndaj kërkesës për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë vlerëson se çdo  përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara do të dëmtonte seriozisht angazhimin e Kosovës dhe BE-së për sundimin e ligjit.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, javën e kaluar ka dorëzuar një kërkesë në Kuvendin e Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

OVL e UÇK-së, po kërkon që përmes një amandamenti në këtë ligj, Specialja të hetojë të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dinka Zivalj tha për KALLXO.com, se një veprim i tillë do të zbrapste angazhimin e Kosovës në sundimin e ligjit.

“Në vitin 2015 Kosova mori një angazhim të qartë me BE-në dhe me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për krijimin e Dhomave të Specializuara.Për BE-në, kjo demonstroi përkushtimin e plotë të Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara do të dëmtonte seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikonte punën e përbashkët BE-Kosovë të bërë në vitet e fundit për sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigjen e Zivalj për KALLXO.com.

Gjykata Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate. Në atë kohë, kryeministër ka qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Një tentativë për shfuqizimin e ligjit për Specialën, ishte inicuar edhe në vitin 2017 nga 43 deputetë nënshkrues atë kohë, por mungesa e kuorumit në Kryesi të Kuvendit si dhe pas presionit ndërkombëtarë, kjo nismë kishte dështuar.

Ndërkaq, pas qindra intervistimeve të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo vetëm, Gjykata Speciale qershorin e këtij theu heshtjen duke njoftuar për ngritjen e një aktakuze për krime ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli – tash kryetar i PDK-së, si dhe  ndaj disa ish-pjesëtarëve tjerë të UÇK-së, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Njoftimi për këtë aktakuzë ende nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë nga gjyqtari i procedurës paraprake.