Takimi i 18 gushtit ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian

BE paralajmëron takimin e radhës Kurti-Vuçiq, në tavolinë propozimi franko-gjerman

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell së shpejti do t’i ftojë në takim kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano në një konferencë për media.

“Lajçak po punon shumë ditë e natë, përfaqësuesi i lartë (Josep Borrell)  është duke i ftuar të dy liderët, kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë që të vijnë në Bruksel së shpejti për ta vazhduar marrëveshjen që është arritur dhe të fillojnë diskutimet për ‘fotografinë e madhe’, e cila është normalizimi i marrëdhënieve i bazuar në propozimin e BE-së”, tha Stano.

Stano ka thënë se dakordimi i djeshëm është vetëm fillimi i punës, sepse sipas tij duhet të diskutohen çështje të tjera për të shmangur krizat.

“Sigurisht puna vazhdon. Nuk është fundi i procesit, marrëveshja e arritur është vetëm fillim i punës, me të cilën shpresojmë ta largojmë këtë gjendje të marrjes së vazhdueshme me kriza në mënyrë që të na lejohet  që  të kalojmë në një fazë tjetër, të merremi me çështje më të qëndrueshme, për ti shmangur krizat”, tha Stano.

Dje Kosova dhe Serbia kanë arritur një dakordim për çështjen e targave.

Lajmëtari i këtij dakordimi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme Josep Borrell, tha që Serbia do të ndalojë së prodhuari targa me incialet PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ dhe Kosova do të ‘pushoj’ me masën e shpërndarjes së gjobave.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot tha se me dakordimin e djeshëm, Borrelli ka ndryshuar deklaratë, kurse qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim .

“Ata që thonë që ajo çka nuk është pranuar të hënën është pranuar të mërkurën, nuk e dinë se për çka po flasin. Nuk është marrëveshje, është dakordim. Mbrëmë u ndryshua deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë dhe kjo është shumë mirë” – tha kryeministri Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kurti pas marrëveshjes për targat: Nuk ka kohë për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj