Takimi i 04.05.2022 | Foto: Mirosllav Lajcak

BE pa datë për takimin e radhës, Kurti-Vuçiq

Ndonëse palët janë dakorduar për takime në baza mujore, ende nuk ka ndonjë datë për takimin e tetorit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk ka treguar nëse pritet të ketë ndonjë takim të nivelit të lartë këtë muaj.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm në kuadër të dialogut sipas rastit” – ka thënë ai.

18 gushti ka qenë data e fundit kur në Bruksel pas më shumë se një viti pa takime, janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Gaberiel Esocbar, tha që palët kanë rënë dakord të takohen në baza mujore.

Takimi i 18 gushtit ka qenë takimi i 3-të i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në shtator, përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se janë duke bërë përgatitjet për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Takimi i radhës do të mbahet posa të përfundojnë përgatitjet, kjo është një nga qëllimet që jam këtu sot, duam të sigurohemi që takimi do të ketë substancë dhe do të prodhojmë diçka. Gjëja e rëndësishme është që liderët janë gati të takohen, BE është e gatshme të jetë nikoqire, por jemi duke përgatitur agjendën” – ka thënë Lajçak.

Lajçak i pasigurt nëse do të ketë takim Kurti-Vuçiq në shtator