Barrikadat në fshatin Rudar të Zveçanit. Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com.

BE nuk komenton kushtet e Rakiqit për heqjen e barrikadave

“Lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës, heqja e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve” – janë kushtet e liderit të Listës Serbe Goran Rakiq drejtuar kryeministrit Albin Kurti për largimin e barrikadave në veri të Kosovës.

Adresimi i kryetarit të Listës Serbe erdhi pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti i cili ka thënë se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë “të kujdesshëm”.

Për deklaratën e Rakiqit, Bashkimi Evropian në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk e komentojnë atë.

“Ne nuk komentojmë komentet”- thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Bashkimi Evropian Peter Stano për KALLXO.com.

Nërsa lidhur me situatën në veri, BE thotë se së bashku me partnerët po vazhdon të angazhohet në evitimin e eskalimit të situatës atje.

“BE-ja, së bashku me partnerët e saj, vazhdon të angazhohet plotësisht në lehtësimin e depërshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës në mënyrë që të sigurohet një mjedis i sigurt dhe liri e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ishte shumë e qartë javën e kaluar se barrikadat duhet të hiqen”- thuhet tutje në përgjigjen e Stanos për KALLXO.com.

Në një video nga fshati Rudarë, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, dje ka dërguar një porosi për kryeministrin Albin Kurti, duke numëruar se cilat janë kushtet për largimin e barrikadave në veri.

“Lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës, heqja e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve” – deklaroi Rakiq.

Adresimi i kryetarit të Listës Serbe erdhi pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti për median britanike “The Guardian”, në lidhje me situatën në veri të Kosovës. Kurti ka deklaruar se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë të kujdesshëm.

“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat (pasojat)” – tha ai. “Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë” – ka deklaruar Kurti për “The Guardian”.

Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Kurti, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka deklaruar se “Kurti thërret në vrasjen e nënave tona, motrave, punëtorëve, mjekëve, profesorëve, të cilët ditë e natë në mënyrë paqësore luftojnë kundër terrorit të tij”.

“Ky kërcënim fatkeqësisht kalon pa përgjigje nga përfaqësuesit ndërkombëtar, që është e patolerueshme” – shtoi Rakiq raporton Kosovo Online.

Javën e kaluar, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka reaguar në lidhje me situatën në veri të vendit duke kërkuar heqjen e menjëhershme të barrikadave.

Borrell thotë se BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it dhe ka kërkuar që barrikadat të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës.

“BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX apo përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Të gjithë aktorët duhet të shmangin përshkallëzimin” – ka shkruar Borrell në Tëitter.

Janë bërë 12 ditë që kur rrugët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që të çojnë në dy pikat kufitare, në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të bllokuara.

Vendosja e barrikadave ka filluar më 10 dhjetor 2022, pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues. Ai dyshohet se organizatoi sulmet e 6 dhjetorit që ndodhën ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës. Ndaj të njëjtit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë është caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se KFOR ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave.

Në anën tjetër, në Lagjen e Boshnjakëve të martën prapë janë dëgjuar dy shpërthime që dyshohet të jenë shok-bomba, madje njëra prej këtyre mjeteve shpërthyese ishte gjuajtur edhe pranë një ekipi të policëve që ishin duke monitoruar situatën në këtë zonë e edhe pranë një ekipi të gazetarëve.

Tensionet në veri filluan të shtohen në nëntor kur Qeveria paralajmëroi fillimin e periudhës për shqiptimin e gjobave ndaj pronarëve të veturave me targa ilegale. Më 5 nëntor 2022, në një mbledhje të thirrur nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e gjyqësor.