BE: Në ditët në vijim nisim me hapat e parë të fazës së zbatimit të marrëveshjes

Çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht dakordimi i arritur mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ishte pjesë e diskutimit të liderëve të Bashkimit Evropian në samitin e BE-së.

Shtetet e BE-së në takimin e së enjtes, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejtë detyrimet që rrjedhin nga takimi i Ohrit.

“Liderët evropianë në takimin e tyre në Bruksel këtë të enjte i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i Ohrit. Të dyja palët ranë dakord në Ohër që të fillojnë menjëherë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes dhe Aneksit. Teksti i rënë dakord thotë qartë: “Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë aneks””- ka thënë Stano në një përgjigje për KALLXO.com.

Stano thekson se në ditët në vijim, institucionet e BE-së do të nisin hapat e parë të fazës së zbatimit të marrëveshjes.

“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Evropian (Udhëheqësit e të 27 Shteteve Anëtare) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: ‘Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre’”- tha Stano.

Më tej, Stano shtoi se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka informuar liderët evropianë për bisedimet e Ohrit dhe theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin atë se për çka janë pajtuar, duke shtuar se “çdo spekulim për nënshkrimin apo vlefshmërinë e Marrëveshjes është i kotë”.

“Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell informoi liderët evropianë për bisedimet e Ohrit dhe theksoi se Kosova dhe Serbia tani duhet të përmbushin atë që kanë rënë dakord. Ai gjithashtu kujtoi se çdo spekulim për nënshkrimin apo vlefshmërinë e Marrëveshjes është i kotë. Historia e dialogut ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet nga niveli i zbatimit të saj, jo nënshkrimi. Ai ishte shumë i qartë se marrëveshja është rënë dakord, duhet zbatuar dhe nuk ka vend për zgjedhje”- është shprehur Stano duke cituar Borrell.

Zëdhënësi i BE-së shton se Kosova dhe Serbia do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozita nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së, duke theksuar se “moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së”.

“Dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së”- ka deklaruar Stano për KALLXO.com.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Ndërkaq, Kurti dje ka folur për ofertën që thotë se ia ka bërë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për vetë-menaxhim të serbëve të Kosovës në takimin e Ohrit.

Kreu i ekzekutivit tha se gjatë bisedimeve, i ka bërë ofertë palës serbe që nëse të njëjtit pranojnë tri shtylla bazike, Kurti është shprehur i gatshëm që të shkruaj draftin për vetë-menaxhimin.

“Për ketë formulimin e vetë-menaxhimit të komunitetit serb, dhe në anën tjetër këto marrëveshjet e trashëguara, e që kanë pësuar rrëzim nga institucionet tona e janë shkelur nga Serbia, unë kam bërë një ofertë konkrete, duke i thënë se nëse pala serbe është dakord që të pranoj tri shtylla bazike; Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe një qëndrim të Brukselit dhe Uashingtonit se çka është dhe nuk është asociacioni, unë jam i gatshëm të shkruaj draftin”- tha Kurti.

I pari i Qeverisë u shpreh se nuk ka pasur dakordim që të përfillen shtyllat e përmendura teksa shtoi se kishte “refuzim shumë të ashpër të ofertës”.

Përmbajtja e planit franko-gjerman

BE publikon aneksin e zbatimit të marrëveshjes