BE, marrëveshje për çmimin tavan të nafës ruse në 60 dollarë për fuçi

Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje për një çmim prej 60 dollarësh për fuçi për naftën ruse.

Ky është një hap kyç pasi sanksionet perëndimore synojnë të riorganizojnë tregun global të naftës për të parandaluar rritjen e çmimeve dhe për ta lënë presidentin Vladimir Putin pa financimin e nevojshëm për luftën e tij në Ukrainë.

Ata duhej të vendosnin çmimin e zbritur që vendet e tjera do të paguajnë deri të hënën, kur të hyjë në fuqi një embargo e BE-së ndaj naftës ruse të transportuar nga deti dhe një ndalim i sigurimit për këto furnizime.

Kufiri i çmimit drejtohet nga Grupi i Shtatë demokracive më të pasura dhe ende ka nevojë për miratimin e tyre. Ai synon të parandalojë një humbje të papritur të naftës ruse në botë që mund të çojë në një rritje të re të çmimeve të energjisë.

Shifra prej 60 dollarësh është një kufi afër çmimit aktual të naftës së papërpunuar të Rusisë, i cili ra këtë javë në nën 60 dollarë për fuçi dhe ka për qëllim të parandalojë një reduktim të mëtejshëm të naftës ruse në tregun botëror pas hyrjes në fuqi të sanksioneve të reja perëndimore ndaj Moskës.

Kjo është një zbritje e madhe duke marrë parasysh se nafta e papërpunuar të ejten tregtohej me një çmim prej 87 dollarësh për fuçi, por mund të jetë i pranueshëm për Moskën, pavarësisht se ajo e kundërshton idenë e vendosjes së një kufiri të tillë.

Nafta është burimi kryesor i të ardhurave financiare të Kremlinit dhe e ka mbajtur ekonominë ruse në këmbë deri më tani, pavarësisht ndalimit të eksporteve, sanksioneve dhe ngrirjes së aseteve të bankës qendrore ruse që hynë në fuqi pas fillimi të agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të këtij viti. Rusia eksporton afërsisht 5 milionë fuçi naftë në ditë./VOA