Foto: Denis Sllovinja
BE kundër mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës: Një hap i njëanshëm dhe i pakoordinuar
Bashkimi Europian e konsideron mbylljen e sotme të nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Në reagimin e BE-së thuhet se këto veprime shkelin marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
BE i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.
BE-ja është shprehur e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut dhe pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.
Sipas Bashkimit Europian, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”- shkruan BE.
Ndër të tjera, BE ka shkruar se si pjesë e Marrëveshjes në lidhje me Telekomunikacionin e arritur në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord më 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së dialogut.
“Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës”- shkruan në reagim.
Nëntë objektet ku vepronte Posta e Serbisë në veri të Kosovës janë mbyllur sot, më 05.08.2024.
Këto posta, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, vepronin në mënyrë ilegale në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Lajmi për mbylljen e postave është konfirmuar për KALLXO.com nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicë Veriu, Veton Elshani.
Policia tha se ky aksion bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.