Flamuj të BE-së -Foto: REL/AFP

BE kundër Amerikës: Mbështet Kurtin në hapat për heqjen e tarifës

Bashkimi Europian ka reaguar ndaj planeve të Kryeministrit Albin Kurti që tarifa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake të hiqet gradualisht.

Dje, Kurti njoftoi se nga 15 marsi do të hiqen tarifat për lëndën e parë ndaj këtyre vendeve me kusht që të ketë hapa konkret nga Serbia për ndaljen e fushatës së çnjohjes.

Ai shpjegoi se nëse kushti plotësohet Qeveria e Kosovës do ta largojë tarifën 100 për qind plotësisht më 1 prill 2020.

Pas këtij njoftimi ka reaguar menjëherë i dërguari special i ShBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell i cili tha se nuk e pranojnë këtë gjysmë-masë.

Megjithatë, strategjinë e Kurtit e ka mbështetur BE përmes një njoftimi sot.

“Ne e mirëpresim këtë njoftim si hap të parë dhe po presim të shohim më shumë detaje.Ky hap mund të ketë efekt pozitiv në kthimin e tregtisë rajonale dhe të ofrojë mundësi për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar prej Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

“Shumë kohë është humbur. Besimi duhet të rivendoset urgjentisht. Serbia dhe Kosëova duhet të krijojnë një ambient lehtësues për rikthimin e dialogur në të mirën e të dyve”, thuhet tutje.

ShBA në kohët e fundit e ka rritur presionin ndaj qeverisë Kurti për të larguar tarifën 100 për qind duke u zotuar gjithashtu se Serbia duhet të ndalojë fushatën për çnjohje.