BE: Kosova dhe Serbia u pajtuan të takohen çdo muaj në nivel negociator

Bashkimi Evropian ka deklaruar se e ardhmja evropiane për Serbinë dhe Kosovën varet nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Një zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri ka thënë për KALLLXO.com, se pas takimit të fundit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq të hënën, palët kanë rënë dakord ta vazhdojnë dialogun.

KALLXO.com ka pyetur BE-në nëse pala serbe ka kërkuar ndërprerje të dialogut, pas pakënaqësive që u shfaqen pas takimit të së hënës dhe disa pas raportimeve në mediat serbe.

BE-ja e ka cilësuar të vështirë takimin e fundit Kurti – Vuçiq.

“Siç tha përfaqësuesi special i BE, Mirosllav Lajçak pas takimit të hënën, ishte një takim i vështirë dhe demonstroi qasje shumë të ndryshme të të dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, të dy palët ranë dakord të vazhdojnë dialogun. Ata ranë dakord të takoheshin në nivelin kryesor negociator çdo muaj për të adresuar çështjet aktuale dhe për të përgatitur takimet e nivelit të lartë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Blloku evropian ka theksuar se presin që të dyja palët të punojnë së bashku për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura midis tyre.

Të hënën, u mbajt takimi i radhës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, Kurti tha se ka propozuar një marrëveshje me 6 pika, por që ajo është refuzuar ende pa u lexuar.

“Unë propozova një marrëveshje të shkruar me 6 nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua, pra atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar që të kemi një deklaratë të paqes e kam përgatitur në mënyrë në një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar”, tha mes tjerash Kurti.

Sipas tij, refuzimi pa lexim për të tregon mungesë gatishmërie për marrëveshje.

Kurse Vuçiq, tha që nuk janë pajtuar për asgjë duke thënë që kryeministri Kurti është kthyer në shekullin e 19-të.