Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq | Foto: BE
BE kërkon zbatim urgjent të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit
Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se kërkon nga Kosova dhe Serbia që urgjentisht të fillojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Liderët e shtetit të Kosovës para pak ditësh thanë që Serbia është ajo që ka hequr dorë nga kjo marrëveshje, ndërkaq njohësit e zhvillimeve politike në vend thotë se mos respektimi i kësaj marrëveshjeje bllokon rrugën integruese të Kosovës.
“Serbia duhet të kthehet te marrëveshja, ta respektoj atë në mënyrë që ta zbatojmë,” tha kryeministri Albin Kurti për Zërin e Amerikës.
Thuajse njëjtë sikur kjo kërkesë e kryeministrit kosovar, Albin Kurti por edhe atë të ditëve më parë të presidents Vjosa Osmani, edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar zbatim të marrëveshjeve të arritura si në Bruksel ashtu edhe atë në Ohër.
Veçse BE-ja nuk përjashton asnjërën palë. Sipas Brukselit zyrtar si Kosova edhe Serbia duhet urgjentisht të nisin zbatimin e aneksit të arritur në Ohër të Maqedonisë dhe ato të arritura në Bruksel.
“Qëndrimi i BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është shumë i qartë, i është komunikuar të gjithë të përfshirëve në disa raste dhe nuk ka ndryshuar: duhet urgjentisht të fillohet me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe aneksit të saj. Progresi në këtë drejtim është i lidhur ngushtë me progresin në rrugën e anëtarësimit në BE të Kosovës dhe Serbisë,” deklaroi për RTV Dukagjinin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ndërkaq, analisti politik Afrim Kasolli thotë mos zbatimi i kësaj marrëveshje, mbanë peng Kosovën.
“Që nga dështimi për të u anëtarësuar në Këshillin e Europës, është e qartë se Kosova mbetet peng i agjendës euro integruese, pa zbatuar detyrimet dhe obligimet që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i zbatimit në Ohër,” tha Kasolli.
Ndërkaq, sipas ish-diplomati Blerim Canaj presioni për implementimin e kësaj marrëveshje do të rritet, për të dyja vendet.
“Normalisht, presion do të ketë sepse tek e fundit marrëveshja është më shume me BE-në sesa ne me Serbinë, sepse në marrëveshjen e bëmë dhe implemetimi bëhet duhet nga ta,” tha Canaj.
Dokumenti i njohur si Marrëveshja Bazë, u kërkon palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mire, dy palëve u kërkohet ta respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës, palëve u kërkohet që t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore që për autoritetet në Kosovë, kjo pikë nënkupton që Serbia e njeh de facto shtetësinë e Kosovës./Tv Dukagjini