BE kërkon që Kosova dhe Serbia t'i zgjidhin mosmarrëveshjet në dialog dhe mirëbesim

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë që çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të tillë si vizitat zyrtare ta zgjidhin në dialog dhe në mirëbesim.

Po ashtu, BE ka bërë thirrje që palët t’i përdorin zyrat ndërlidhëse për t’i aranzhuar vizitat zyrtare.

Kështu kanë deklaruar për KALLXO.com, Zyrtarë të BE-së, lidhur kthimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi nga Serbia për në Kosovë dje.

“BE-ja u kërkon të dyja palëve që të zgjidhin çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të tillë në dialog dhe në mirëbesim, duke përdorur kanalet e vendosura të komunikimit të Oficerëve Ndërlidhës. Të dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe të zbatojnë detyrimet në pritje, duke përfshirë vizitat zyrtare”-thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano për KALLXO.com.

Në përgjigjen e tyre, tutje thuhet se vizitat zyrtare nuk duhet të politizohen.

“Vizitat zyrtare luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve dhe mirëkuptimit ndërmjet palëve, dhe ato nuk duhet të politizohen”-thuhet tutje në BE-së.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, pas kthimit në Kosovë, do të marrë pjesë online në konferencën mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor që do të mbahet sot në Beograd.

Kështu ka bërë të ditur Bislimi, mbrëmë përmes rrjetit social Twitter ku ndër të tjera ka folur edhe për arsyet se pse i është pamundësuar pjesëmarrja fizikisht.

Paneli ku është pjesë Bislimi, pritet të fillojë diskutimin sot rreth orës 18:15.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi dje është kthyer mbrapa nga Serbia për në Kosovë.

Ai ishte nisur drejt kryeqytetit serb, Beograd për të marrë pjesë në një konferencë dy ditore, në të cilën temë diskutimi ishin edhe raportet mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Mbrëmë, pas kthimit në Kosovë, Bislimi tha se gjithçka ishte në rregull deri në momentin kur u është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë siguri apo siguria ka qenë e cenuar.

“Sot gjithçka ka qenë në rregull deri sa në një moment të caktuar na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë sigurinë apo siguria ka qenë e cenuar” – u shpreh numri dy i Qeverisë së Kosovës.

Bislimi këtë nuk e mendon të jetë arsyeja e vërtetë.

Ai tha se arsyeja është diku tjetër. Zëvendëskryeministri theksoi se ka pasur për qëllim që Beogradit, korit diplomatik dhe qytetarëve serbë t’i ofrojë verzionin e Kosovës mbi zhvillimet edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës.

“Jo, arsyeja është diku tjetër, për arsye se ne kemi pasur për qëllim që Beogradit dhe korit diplomatik por edhe qytetarëve atje t’i ofrojmë verzionin e Kosovës mbi zhvillimet edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës” – theksoi ai.

Sipas tij, duket që ka pasur edhe një rezistencë të madhe që të mos mundësohet edhe paraqitja e verzionit të anës tjetër, pra verzioni i Kosovës.

Tutje ai tha se ka qenë i paraparë të marrë pjesë në takime ku është dashur të diskutohet për katër koncepte me rëndësi që përfshijnë marrëdhëniet ndëretnike, rrugëtimi drejt Evropës, siguria dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Kthimi i Bislimit u tha se u bë afër 85 kilometra në afërsi të Beogradit.