BE kërkon ndërprerjen e konkurseve për shërbyes civilë

Bashkimi Europian, zyra në Kosovë, nëpërmjet një komunikate ka kritikuar institucionet e vendit dhe partitë politike, për konkurset e shpallura në administratën shtetërore, në kohën kur vendi gjendet në prag të zgjedhjeve.

BE-ja ka përmendur Ligjin për Zyrtarët Publik, që është miratuar gjatë këtij viti, ku ka thënë se për këtë ligj duhen të miratohen edhe aktet nënligjore nga qeveria.

“Të gjitha vendet e lira të shërbimit civil të publikuara aktualisht nga institucionet shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë, nuk mund të procedojnë, para se të merren vendime të tilla nga qeveria. Kjo është e vetmja rrugë e ligjshme që nuk i ekspozon institucionet para sfidave ligjore dhe përndryshe do të rrezikojë t’i ekspozojë institucionet dhe partitë politike ndaj akuzave dhe kritikave për politizimin e administratës publike”, thuhen në komunikatën e BE-së.

Tutje BE-ja i bën thirrje Ministrisë së Administratës Publike që të informojë institucionet, që vendet e lira të shpallura aktualisht, nuk mund të vazhdojnë deri sa aktet nënligjore të jenë të miratuara nga qeveria.

“BE ka marrë shënime nga shoqëria civile, të cilët kanë ngritur shqetësime në lidhje me vendet e lira të publikuara aktualisht. Të gjitha rekurtimet e shërbimit civil duhet të jenë në përputhje me standardet e paanshmërisë dhe meritës”, thuhet tutje në komunikatë.

Në fund, BE-ja thotë se do të vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë e re që do të formohet pas zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojë zbatimin e duhur të reformës në administratën publike.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për punësimet politike nëpër institucionet publike të vendit. Vetëm në javët e fundit janë hapur konkurse në Ministrinë e Mbrojtjes, në Korporatën Energjetike të Kosovës, Trepçë e Ministri të Kulturës.

‘Aksham pazari’ me punësime para zgjedhjeve në Ministrinë e Mbrojtjes