Raketat "Javelin". Foto: Lockheed Martin
BE-ja, shumicën e armatimit e blen nga Shtetet e Bashkuara
Vendet e Bashkimit Europian po blejnë shumicën e pajisjeve të tyre të mbrojtjes jashtë vendit, me pothuajse dy të tretat e sasisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por po dështon të investojë në projekte të përbashkëta ushtarake, thuhet në një raport me paralajmërime për konkurrencën e BE-së.
27 shtetet anëtare po dështojnë gjithashtu që të përdorin më së miri kapacitetet kërkimore dhe zhvillimore të Europës për të modernizuar forcat e tyre të armatosura, me vetëm një hise të nivelit të investimit amerikan, thuhet në raportin e prezantuar të hënën (09.09.2024) nga ish-kryeministri italian dhe shefi aktual i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, raporton agjencia AP.
Raporti vjen në kohën kur BE-ja po vazhdon të ketë telashe që të gjejë mjaftueshëm armatim dhe municione për ta ndihmuar Ukrainën për ta mbijetuar pushtimin rus, tani në vitin e tretë, dhe për ta fuqizuar industrinë europiane të mbrojtjes.
“Europa po i humb burimet e veta të përbashkëta. Ne kemi fuqi të madhe shpenzuese kolektive, por ne ngecim në shumë instrumente të ndryshme kombëtare dhe të BE-së”, ka shkruar Draghi në raport, që kishte një vit që po hartohej dhe me gjasë do të shkaktojë reagim për të dalë me një strategji industriale të bllokut.
Pjesë e problemit është edhe dështimi për të investuar si duhet në Europë për të krijuar firma më të fuqishme të mbrojtjes, shtohet aty.
“Ne ende nuk po i bashkojmë forcat në industrinë e mbrojtjes për të ndihmuar kompanitë tona për t’u integruar dhe arritur nivelin maksimal”, thuhet në raport, duke spikatur gjithashtu se “ne nuk favorizojmë kompanitë evropiane konkurruese të mbrojtjes”.
Në raport thuhet se ndërmjet mesit të vitit 2022 dhe mesit të vitit 2023, 63 për qind e krejt porosive të vendeve evropiane u bënë me kompani amerikane, dhe një hise prej 15 për qind me furnizues tjerë që nuk janë pjesë e bllokut evropian. Holanda i është bashkuar listës së anëtarëve të BE-së që kanë porositur aeroplanë luftarakë amerikanë F-35 me alamet kosto.
Në mbarë bllokun me 27 anëtarë më 2022, shpenzimet për kërkime dhe zhvillim në mbrojtje kanë arritur shumën prej 10.7 miliardë eurosh – apo vetëm 4.5 për qind e totalit – krahasuar me 140 miliardë dollarëve në Shtetet e Bashkuara, ose 16 për qind të krejt shpenzimeve të mbrojtjes.
Aleatët e NATO-s – pothuajse të gjithë anëtarët janë pjesë e BE-së – kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes pas aneksimit rus të Krimesë së Ukrainës më 2014. Qëllimi është që gjithësecili vend të realizojë së paku 2 për qind të bruto prodhimit vendor për buxhetin e mbrojtjes kombëtare.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com