Flamujt e BE-së të vendosur pranë ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel.
BE-ja qorton Sllovakinë për ligjin që OJQ-të i konsideron agjentë të huaj
Komisioni Evropian e ka paralajmëruar Sllovakinë se do të marrë hapa të menjëhershëm ligjorë nëse Qeveria e shtyn përpara ligjin e propozuar që organizatat joqeveritare që marrin fonde nga jashtë ta konsiderojnë veten “organizata me përkrahje të jashtme”, raporton Reuters.
“Isha në Bratislavë dhe isha shumë e qartë”, ka thënë zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova, para publikimit të raportit të përvitshëm të BE-së për sundimin e ligjit. “Nëse ndiqni shembullin hungarez për ligjin për OJQ-të, ne menjëherë do të lansojmë procedurën për shkelje të ligjit të BE-së, sepse tashmë ne kemi vendimin e gjykatës në tavolinë”.
Hungaria aprovoi një ligj të ngjashëm për OJQ-të me financim të huaj më 2017, por e tërhoqi pasi Gjykata Evropiane e Drejtësisë më 2021 nxori verdiktin se ishte ilegal.
Komisioni Evropian është përballur me përplasje me Hungarinë për shkak të çështjeve të sundimit të ligjit dhe ia ka tërhequr fondet e BE-së. Budapesti zhgënjeu partnerët e BE-së në fillim të presidencës gjashtëmujore të radhës së BE-së me “misionin paqësor” të kryeministrit Viktor Orban që përfshiu bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë.
Betejat e ngjashme ligjore me Poloninë përfunduan pas ndryshimeve qeveritare vitin e kaluar.
Qeveria sllovake e kryeministrit Robert Fico mori vjet pushtetin dhe është përballur me kritika nga opozita për ndryshimin e kodit penal, ristrukturimin e transmetuesit publik, ndaljen e ndihmës shtetërore ushtarake për Ukrainën dhe demonstrimin e shenjave të afrimit të politikës së jashtme me Rusinë.
Fico ka thënë në një deklaratë pas raportit të BE-së për sundimin e ligjit se i ka marrë parasysh rekomandimet e tij dhe se ministritë relevante do të zhvillojnë bisedime me Komisionin Evropian.
Por ka shtuar se kritikat kanë ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve lidhur me çështjet e politikës së jashtme ku Komisioni po kërkon “bindje”.
Raporti i përvitshëm i sundimit të rendit mbulon çështje të sistemit të drejtësisë, korrupsionit, lirisë së mediave dhe kontrolle të tjera, të lidhura edhe me shoqërinë civile. Janë rekomandime jodetyruese ndaj të gjitha 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com