BE-ja po e vëzhgon nga afër situatën në Mal të Zi

Bashkimi Evropian (BE) do të “vëzhgojë nga afër zhvillimet” në Mal të Zi, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE) Ana Pisonero.

“Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë sundimin e ligjit. Të gjitha shkeljet e mundshme të ligjit, duhet të zgjidhen nga institucionet kompetente, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe standardet ndërkombëtare “, tha Pisonero gjatë një konference për media në Bruksel.

Në mërkurën në disa qytete malazeze, përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe zhvilluan protesta të dhunshme duke kërkuar lirimin e tetë priftërinjëve, të cilët u arrestuan një ditë më parë.

Ata mund të përballen me 12 vjet burgim për shkeljen e urdhrave të shëndetit publik, pasi drejtuan një liturgji të paligjshme, nëpër rrugët e qytetit Nikshiq.

Mijëra besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, injoruan masën e ndalimit të tubimeve publike, të cilën qeveria e ka vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe morën pjesë në liturgji.

Beogradi ka kritikuar ashpër arrestimin e tetë zyrtarëve të Kishës Ortodokse Serbe.

Arrestimet pasojnë tensionet e vazhdueshme midis autoriteteve pro-perëndimore të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Në fillim të këtij viti, Kisha Ortodokse Serbe zhvilloi për disa javë protesta në Mal të Zi kundër një ligji për Liritë Fetare./REL

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!